Trepça garancë e zhvillimit ekonomik të Kosovës

Prishtinë, 30.01.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Odën Ekonomike të Kosovës ku u takua me kryetarin, Safet Gërxhaliu, menaxhmentin dhe Anëtarët e Këshillit Drejtues të OEK-ut, me të cilët ka diskutuar për aktualitetin ekonomik në vend.

Me këtë rast, ministri Ismaili ka falënderuar Odën Ekonomike të Kosovës dhe komunitetin e biznesit për bashkëpunim të mirëfilltë dhe theksoi se MZHE është e përkushtuar në përmbushjen e synimeve strategjike, të cilat do të reflektojnë  pozitivisht  në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në stabilitetin social të saj  përmes investimeve vendore dhe investimeve nga jashtë.

Kreu i MZHE-së tha se dje ka qenë një ditë e rëndësishme për ekonominë kosovare pasi kaloi në parim ligji mbi Trepçën i cili është i një rëndësie të veçantë dhe strategjik për Kosovën. Po ashtu  janë bërë  hapa  pozitiv sa i përket Projektit Kosova e Re i cili është duke kaluar fazën e ristrukturimit  dhe besojë se do të kemi  fituesin e realizimit të këtij projekti madhorë.

Ai tha se po ashtu ka filluar ndërtimi i Autostradës Energjetike  400kV Kosovë – Shqipëri i cili projekt do t’i paraprijë tregut të përbashkët energjetik në mes të Kosovës  dhe Shqipërisë  por në të njëjtën  kohë jemi duke punuar edhe në hartimin e strategjisë së energjisë në baza të tregut të hapur.

Ministri Ismajli ka përsëritur se kërkesat evropiane janë edhe përmbushja e objektivave për efiçiencë të energjisë si dhe në gjetjen e mundësive  për burime të Ripërtritshme të Energjisë dhe krahas kësaj  jemi duke punuar  në modelimin ekonomik të Kosovës që nënkupton përgatitjen e Strategjisë të Zhvillimit të Përgjithshëm Ekonomik të Kosovës, e cila strategji ka munguar deri më tani  në Kosovë dhe është një dokument i rëndësisë për të ardhmen e vendit.

Nga ana e tij, kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu vlerësoi se të gjitha këto prioritete nga MZHE janë ato që i kërkon  komuniteti i biznesit dhe sektori privat dhe realizimi i tyre është garancë e ardhmërisë ekonomike të Kosovës.

Ai u shpreh i kënaqur me faktin se tani kanë qasje pro aktive lidhur me ligjin mbi “Trepçën” dhe “Kosovën e Re”  sepse që të dyja këto projekte janë garancë  e punësimit, janë garancë e përmirësimit të bilancit të pagesave dhe rritjes së eksporteve, por mbi të gjitha janë garancë e tërheqjes së investitorëve strategjikë nga e mbarë bota. Dhe kur kësaj i shtohet edhe Strategjia Ekonomike Zhvillimore e Kosovës, atëherë me siguri Kosova  do të ketë të qartë rrugëtimin drejt zhvillimit ekonomik.