Apelohet për kursimin e ujit dhe rritjen e inkasimit
Prishtinë, 14.01.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli me bashkëpunëtorë ka pritur në një takime pune Bordin e Drejtorëve dhe menaxhmentin e Kompanisë Rajonale të Ujërave “Prishtina”, me të cilët ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në këtë kompani dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet aktualisht.
Me këtë rast Ministri Ismajli ka theksuar mbështetjen e MZHE-së për ndërmarrjet publike me qëllim të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërsa drejtuesit e KRU “Prishtina”, kanë vënë në dukje se kanë marrë të gjitha masat që të përballen me çdo eventualitet që mund të paraqitet si pasojë e rënies së nivelit të liqeneve të Badovcit dhe Batllavës.
Më pas Udhëheqësi i Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (MZHE), Ramadan Sejdiu dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Prishtina” Gjelosh Vataj në një konferencë të përbashkët u kanë bërë thirrje qytetarëve të kursejnë ujin, ndërkaq thanë janë duke përcjellë me vëmendje të shtuar situatën.
“Gjatë takimit me drejtuesit e KRU “Prishtina” diskutuam për sfidat më të cilat ballafaqohet kjo kompani, vështirësitë në inkasim, humbjet ujit, gjithashtu me vështirësitë e kompanisë në furnizimin e qytetarëve me ujë në mungesë të reshurave atmosferike”, tha Sejdiu.
Ai tha se është diskutuar edhe për kahet e zhvillimit dhe implementimit të projektit të ri të ndërtimit të fabrikës së ujit në Shkabaj.
Ndërsa, Gjelosh Vataj, Kryeshef Ekzekutiv në KRU “Prishtina” tha se kjo kompani do të bëjë të pamundurën që të ketë furnizim të mjaftueshëm me ujë për tetë komunat që mbulon, ndërsa shtoi se nga viti 2012 po afaron pa humbje.
Vataj u bëri thirrje të gjithë konsumatorëve që ta kursejnë ujin dhe që t’i kryejnë obligimet për ujin e shpenzuar ngase kjo ndikon direkt në kualitetin e shërbimit, ndërsa shtoi se viti 2014 nuk paraqet problem në furnizimin me ujë të pijshëm ngase ka rezerva edhe për 3 apo 4 muaj, mirëpo në qoftë se nuk do të ketë të reshura të mjaftueshme në këtë vit, duhet të mendohet për vitin 2015.

