Nënshkruhen kontratat për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri

Prishtinë, 21.12.2013 – KOSTT dhe OST në praninë e delegacioneve Qeveritare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, kanë nëshkruar sot në hapësirat e Lidhjes së Prizrenit në Prizren,  kontratat për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri me një gjatësi totale prej 241.5 km, e cila pritet të përfundojë brenda 24 muajsh.

Të pranishëm në këtë ceremoni përvec drejtuesve të KOSTT dhe OST ishin edhe Fadil Ismajli, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, i Republikës së Kosovës, Damjan Gjiknuri, Ministër i Energjetikës dhe Industrisë, Republikës së Shqipërisë, Peter Blomeyer, Ambasador i RF të Gjermanisë në Kosovë dhe përfaqësues të kompanive implementuese.

Ministri Fadil Ismajli e ka quajtur këtë ditë të shënuar për historinë e energjisë së Kosovës, duke theksuar se sektori i energjisë është një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit.

“Pasi vizioni ynë është që të kemi një treg të përbashkët energjetik  Kosovë-Shqipëri, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV, vetëm se do ta vërtetojë angazhimin tonë të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve”, tha ai.

Sipas tij, kjo linjë ngrit kapacitetet transmetuese, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë në mes të dy rrjeteve dhe u mundëson dy operatorëve të punojnë bashkarisht si një sistem shpërndarës, që të ofrojnë përfitime të ndërsjellta për konsumatorët e të dyja vëndeve.

Edhe ministri i Energjetikës dhe Iindustrisë të Shqipërisë, Damjan Gjinkuri ka vlerësuar se ky projekt do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të hapësirës shqiptare dhe rrit komunikimin energjetik mes dy vendeve.

Ndërsa, Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Piter Blumayer tha se objektivi i vendit të tij është të përmirsojë kushtet e jetesës të popullsisë, në rrugët ekonomike duke mbrojtur klimën dhe ambientin.

Kontratat me kompanitë implementuese u nënshkruan nga Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Naim Bejtullahu dhe Engjëll Zeqo, Administrator i Përgjithshëm i OST.

Ndryshe, financimi i projektit për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit  me Qeverinë e Kosovës, për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion euro.