Investitorët e huaj të interesuar për sektorin minerar të Kosovës
Prishtinë, 05.12.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, mori pjesë në Konferencën dhe Panairin “Mines and Money” që është mbajtur prej 2 deri më 4 dhjetor në Londër. Kjo është një ndër konferencat më të mëdha të sektorit të minierave ku marrin pjesë kompanitë më të mëdha nga e gjithë bota.
Gjatë kësaj konference, ministri Ismajli mbajti një prezantim në të cilin bëri të ditur se prioritet i Qeverisë së Kosovës është ngritja e nivelit të investimeve private në sektorin e minierave, ndërsa shtoi se procedurat për marrjen e lejeve dhe autorizimeve janë të lehta dhe stimulojnë investimet private.
Gjithashtu, ministri Ismajli prezantoi pasuritë minerare të Kosovës, e në veçanti foli edhe për kompaninë Trepça dhe resurset e saj të bollshme, zinkun dhe plumbin. Njëkohësisht është diskutuar lidhur me potencialin për investime në këtë sektor, duke u bazuar në resurset natyrore që ekzistojnë në Kosovë.
Nga ana e tyre, investitorët potencial shprehën një interesim të madh për të investuar në sektorin minerar. Në anën tjetër, Ministria e Zhvillimit Ekonomik së bashku me Komisionin për Miniera dhe Minerale dhe me Trepçën, kanë mbajtur të hapur për tre ditë me radhë një tavolinë për informimin e investitorëve, ku janë dhënë informata tek shumë kompani të interesuara në këtë sektor.

