Japonia do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Prishtinë, 02.12.2013 – Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci ka pritur sot zëvendës ambasadorin Japonez në Austri, jo rezident për Kosovën, Isamu Yamaguchi me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë ato në fushën e ekonomisë.

Me këtë rast, zv.ministri Koci ka informuar diplomatin japonez me projektet që janë në zhvillim e sipër në sektorët e energjisë, minierave dhe sektorët tjerë që mbulon MZHE, e që vlerësohen kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.

Zv.ministri Koci ka falënderuar zëvendës ambasadorin japonez për ndihmën që Qeveria Japoneze i ka dhënë Kosovës, e veçanërisht Ndërmarrjeve Publike përmes agjencisë JICA.

Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit mes dy odave ekonomike me qëllim të identifikimit të fushave të bashkëpunimit dhe tërheqjen e investimeve.

Nga ana e tij, diplomati japonez, Isamu Yamaguchi ka theksuar bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve duke shprehur gatishmërinë për thellimin e tij në të ardhmen, e sidomos në fushën e ekonomisë.