Ismajli: Konsumimi i produkteve vendore ndihmon biznesin
Prishtinë, 25.11.2013 – Ndërmarrësia, inovacionet dhe zhvillimi ekonomik janë segmente të pandashme, të cilat e “ushqejnë” njëra tjetrën. Prandaj, duke prodhuar produkte të reja, apo sisteme afariste kreative, subjektet socio-ekonomike janë më produktive gjatë periudhave prosperuese ekonomike, si dhe më rezistente gjatë krizave. E gjithë kjo arrihet më së miri nga sektori privat, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
Këto komente kreu i MZHE-së i bëri sot në hapjen e “Java e Biznesit Kosovar 2013” të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, ku përveç përfaqësuesve të bizneseve morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve nga vendi, Lugina e Preshevës dhe Ulqini, ndërsa qëllimi i saj është promovimi i produkteve vendore.
Ministri Ismajli tha se sektori prodhues duhet që të mbështetet nga të gjithë, qoftë Qeveria, shoqëria civile, apo edhe cilido qytetar tjetër i Republikës së Kosovës, ndërsa ndihmesa më e madhe që këto biznese mund të marrin nga të gjithë ne, është ajo e konsumimit të produkteve që ato ofrojnë.
Ndërsa, Agim Shahini kryetar i AKB-së tha se slogani “Unë konsumoj produkte vendore, po ju” është një slogan që na ka përcjell për 11 vjet, e që ka për qëllim të ndryshojë vetëdijen konsumuese nga ai i produkteve të importuara në ato produkte të prodhuara në Kosovë. Ai tha se Kosova vuan nga politikat jo të mira për prodhim vendor dhe shpesh kjo bën që konsumatori të ketë dyshim në prodhimet e Kosovës se janë më të shtrenjta, kurse cilësinë nuk e kanë në vënë në dyshim.
Ragmi Mustafa – Kryetar i Komunës së Preshevës tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës produktet në Kosovës i konsiderojnë si vendore dhe do të jenë konsumues të produkteve ushqimore që prodhohen në territorin e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Ai porositi që produktet e Luginës të konsiderohet produkte vendore sepse edhe ajo është Kosovë.
Lam Kallaba nga Klubi i Biznesit “Anamalit”, në Ulqin u ka uruar sukses prodhuesve vendës dhe vite më të frytshme në të ardhmen, ndërsa shtoi se Ulqini i mirëpret produktet kosovare, ashtu siç i duan edhe mysafirët nga Kosova.
Ndryshe, “Java e Biznesit Kosovar 2013”, pas Prishtinës do të vazhdojë me Prizrenin, Pejën dhe Mitrovicën, ndërsa në këtë kuadër do të hyjnë edhe aktivitetet edhe në trevat shqiptare.