Qeveria i kushton rëndësi të posaçme zhvillimit të resurseve të ujit
Prishtinë,08.11.2013 – Uji nuk njeh kufij administrativ e shtetëror andaj nuk është i rastësishëm bashkimi i sotëm pasi gjithë përfaqësuesit e sektorit të ujit nga shtetet e regjionit, marrin pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm në mënyrë që të gjenden format më të mira të mundshme të bashkëpunimit ndërshtetëror e ndërinstitucional në parimet e biznesit të shëndoshë afarist, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
Këto komente, ministri Ismajli i bëri në hapje të Konferencës Ndërkombëtare “Viti i bashkëpunimit për Ujin”, që u mbajt më 06-08 nëntor 2013 në Prishtinë nën organizimin e Shoqatës së Ujësjellësve të Kosovës – SHUKOS dhe Shoqatës së Ujësjellësve të Shqipërisë – SHUKALB, ndërsa morën pjesë përfaqësuesit e ujësjellësve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
“Furnizimi me ujë të pijshëm, është një ndër detyrat më të rëndësishme që një person apo institucion mund të ketë. Uji i pijshëm siguron që të ruhet shëndeti i njeriut. Sigurimi i ujit të pijshëm në masa të mjaftueshme gjithashtu është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të një vendi”, tha ministri.
Ismajli më tej theksoi se uji i pijshëm përveç që ndikon direkt në rritjen ekonomike, ka edhe impakt indirekt, si ulje e shpenzimeve mjekësore për sëmundjet e shkaktuara nga uji i papastër, rritje e kërkesës së produkteve bujqësore, rritje e turizmit, dhe shkon deri tek rritja e numrit te bizneseve të vogla dhe të mesme.
“Qeveria e Kosovës në programin e vet të punës një rëndësi të konsiderueshme i kushton zhvillimit të resurseve të ujit. Rëndësi të veçantë i kushton ujit të pijshëm, trajtimit të ujërave të zeza dhe zhvillimit të sistemit të kanalizimit”, tha ai.
Kreu i MZHE-së, ka inkurajuar fuqishëm operatorët e sektorit të ujit që të vazhdojnë edhe më tej në ofrimin e shërbimeve sa më kualitative ndaj qytetareve, ndërsa premtoi se Qeveria së bashku me donatorët edhe më tutje do të ofrojnë mbështetjen e realizimin e projekteve kapitale të cilat do të mundësojnë eliminimin e sfidave të paraqitura dhe rritjen kualitative të shërbimeve.
Ndryshe, me rastin e hapjes së konferencës treditore, u ndanë edhe çmimet mbi akterët meritorë për zhvillimin e sektorit të ujit si dhe mirënjohje për dy punëtorët më të dalluar të Ujësjellësve të Kosovës dhe Shqipërisë.