Shqipëria ndihmon Kosovën në anëtarësimin në EITI

Prishtinë, 23.10.2013 – Në kuadër të aktiviteteve lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në EITI (Extractive Industries Transparency Initiative) një  delegacion i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka zhvilluar një takim pune me sekretariatin e ALBEITI.

Delegacioni i MZHE-së në përbërje të këshilltarëve të ministrit Gazmend Ahmeti dhe Genc Hajdini si dhe zyrtarëve të MZHE-se, Kemajl Zeqiri përgjegjës për Nismën e Anëtarësimit në EITI dhe Besim Veselaj udhëheqës i Divizionit të Strategjive Sektoriale, u pritën nga drejtuesit e sekretariatit të ALBEITI-së  Shkëlqim Hysaj dhe Agim Shehu Koordinator Ekonomik si dhe nga disa anëtarë të Grupit të Punës (MSG) përfaqësues të Ministrisë Energjisë dhe Industrisë ( MEI ) dhe të Shoqërisë Civile.

Në këtë takim u diskutua lidhur me eksperiencën dhe sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, konkretisht lidhur me punën e sekretariatit shqiptarë për anëtarësim në EITI (ALBEITI), si dhe punën e grupit gjithëpërfshirës punues (MSG).

Veç tjerash në këtë takim u trajtuan dhe u dhanë njohuritë bazë për parimet dhe kriteret kryesore të EITI si një standard global që promovon transparencën e të ardhurave të krijuara dhe të paguara për shtetin nga industria nxjerrëse, mirëqeverisjen dhe llogaridhënien në këtë sektor.

Po ashtu, në këtë takim  me theks të veçantë u diskutua për interesimin e vendeve të ndryshme të Evropës dhe Botës  pas Konferencës së 6-të Globale EITI  për të njohur Nismën për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) , përfshirë edhe vendet me nivel të lartë të demokracisë dhe të zhvillimit ekonomik siç është Mbretëria e Bashkuar, Franca etj.

Të  dy delegacionet u pajtuan për të thelluar bashkëpunimin, ndërsa  sekretariati shqiptar ALBEITI, shprehi gatishmërinë për të mbështetur procesin e anëtarësimit të Kosovës në EITI, përmes bashkëpunimit dhe ofrimit të asistencës së tyre në gjitha fazat e procesit.