KMNP diskuton zhvillimet në Ndërmarrjet Publike

Prishtinë, 31.07.2013 – Komisioni Ministror për Ndërmarrje Publike (KMNP) ka mbajtur takimin e radhës nën kryesimin e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, në të cilën janë diskutuar një sërë çështje që kanë të bëjnë me kërkesat dhe punën e Ndërmarrjeve Publike.
Në takim në cilësinë e anëtarëve të KMNP-në morën pjesë Zëvendëskryeministrja, njëherit Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe përfaqësuesi i ministrit të Financave.

Në këtë takim Komisioni fillimisht ka shqyrtuar kërkesat e Komunave për krijimin e NP-ve të reja lokale për çka është vendosur që vendimi të merret pas konsultimit me komunat.

Sa i përket njoftimit nga Posta e Kosovës mbi vështirësitë e implementimit të Ligjit për Shërbimet e Rezervuara Postare, KMNP do t’i rekomandojë të gjitha Institucioneve publike dhe Ndërmarrjeve Publike që të përdorin shërbimet postare tek Posta e Kosovës pasi që është e vetmja e licencuar për shërbimet postare të rezervuara me peshë nën 1.0 kg.

Më pas Komisioni ka shqyrtuar edhe kërkesën e KEK-ut për shtyrjen e kthimit të huave të KEK-ut të marruara nga Ministria e Financave dhe për këtë paraprakisht do të konsultohet ZRRE nëse këto hua janë të përfshira në tarifat e vitit 2005, 2008 dhe 2010 dhe cili është impakti në tarifat e ardhshme.

Gjithashtu në këtë takim të KMNP-së është shqyrtuar edhe çështja e statusit të objektit administrativ të Ibër Lepencit dhe është konstatuar se sipas Ligjit për Ujëra MMPH është pronare e aseteve të ish Institutit të Hidro Ekonomisë dhe për këtë do t’ia bëjë me dije edhe AKP-së.

Mes tjerash, Komisioni Ministror ka diskutuar edhe Draft Raportin vjetor të Performancës së NP-ve 2012 dhe anëtarëve të KMNP u mbetet që brenda 15 ditësh të japin komentet në draft në mënyrë që i njëjti më pas të procedohet në Qeveri.