Bashkëpunim i frytshëm ekonomik Kosovë – Mbretëri e Bashkuar

Prishtinë, 07.12. 2012 – Ministri i Zhvillimit  Ekonomik  Besim Beqaj ka takuar sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff me të cilin ka biseduar lidhur me thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve.
 
Ministri Beqaj ka vlerësuar lartë përkrahjen dhe kontributin që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës si në aspektin politik ashtu edhe atë ekonomik.

Ministri Beqaj dhe ambasadori Cliff janë dakorduar se Qeveria e Republikës së Kosovës është duke krijuar kushte dhe ambient të favorshëm politik dhe juridik për të tërhequr  investimet e  huaja.

Me këtë rast ministri Beqaj ka theksuar se të gjitha shqetësimet eventuale të investitorëve të mundshëm duhet tu adresohen institucioneve të cilat sipas ligjit janë përgjegjëse për lëmit e caktuara.

Ai gjithashtu ka kërkuar respektim të dispozitave dhe procedurave ligjore në të gjitha rastet, pasi që vetëm në atë mënyrë mund të sigurohet realizimin i praktikave dhe standardeve më të mira ndërkombëtare.

Duke folur për shqetësimet e Kompanisë Fox Marble, ministri Beqaj ka kërkuar që, duke respektuar procedurat dhe autorizimet ligjore të institucioneve të pavarura siç është KPMM, të respektohen dispozitat ligjore në fuqi në Kosovë.