Beqaj priti sindikalistët e Distribucionit dhe Furnizimit

Prishtinë, 24.10. 2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj ka pritur sot një delegacion të Sindikatës së Distribucionit dhe Furnizimit të prirë nga kryetari i saj, Fehmi Pajaziti me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në këtë kompani.

Në takimin që u mbajt me kërkesë të sindikalistëve, i pranishëm ishte edhe drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj ku u shqyrtuan shqetësimet e sindikalistëve, ndërsa u theksuan obligimet që ka Kosovo Çalik Limak Energy ndaj punëtorëve.

Ministri Beqaj tha se performanca individuale është mënyra më reale e vlerësimit të punëtorëve, ndërsa shtoi se MZHE garanton të gjithë punëtorët se në rast se vërtetohet se ka çfarëdo shkelje të të drejtave të tyre, kryesit e tyre do të kenë përgjegjësi.

Me këtë rast, kreu i MZHE-së ka ritheksuar angazhimin e Qeverisë që me rastin e privatizimit të Distribucionit të KEK-ut, interesat e punëtorëve të mbrohet maksimalisht, gjë që edhe është arritur përmes sigurimit të kontratave trevjeçare.

Nga ana e tyre, sindikalistët kanë falënderuar ministrin për gatishmërinë që ka treguar për të dëgjuar shqetësimet e tyre  dhe u pajtuan që shqetësimet e tyre t‘i adresojnë konform kornizës ligjore dhe institucionale.