MZHE: Astetet e PTK-së nuk jepen në hipotekë
Prishtinë, 10.10. 2012 – Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP) i vlerëson si të pavërteta dhe tendencioze shkrimet në disa nga mediat vendore se kinse ka premtuar dhënien në hipotekë të aseteve të paluajtshme të PTK-së apo Postës së Kosovës për kompanitë e parakualifikuara në procesin e privatizimit të PTK-së.
Teksti i botuar më 9 tetor në gazetën “Express” dhe tekstet e botuara sot në disa media tjera nuk përkojnë me të vërtetën, pasi që artikulli në fjalë dhe ato të botuara sot kanë ofruar informata të pasakta dhe të pavërteta dhe në këtë mënyrë kanë krijuar huti në opinion.
Thirrja në burime anonime kur zyrtarët e MZHE-së ishin dhe janë të gatshëm që të japin informacione relevante është e papranueshme, posaçërisht duke pas parasysh faktin se MZHE gjithnjë në afatin më të shkurtër të mundshëm iu është përgjigjur kërkesave dhe pyetje të gazetarëve të Express-it.
Njëkohësisht, KQP thekson se në cilësinë e udhëheqësit të procesi të privatizimit të PTK-së kompetent që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të marrë vendime në lidhje me procesin e privatizimit duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nuk ka pasur asnjë takim më investitorët e parakualifikuar për privatizimin e PTK-së dhe nuk ka pranuar asnjë kërkesë formale nga këto kompani për futjen në hipotekë të aseteve të paluajtshme qoftë të PTK-së apo Postës së Kosovës.
Po ashtu theksojmë se në bazë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, PTK është ristrukturuar dhe ndarë në dy kompani – në Postën e Kosovës dhe PTK-në pjesë e së cilës kanë mbetur biznesi i telekomit, ku përfshihen telefonia mobile, fikse dhe interneti.
Posta e Kosovës është duke funksionuar si ndërmarrje e ndarë publike nga PTK-ja, ka rreth 1000 punëtorë dhe ka trashëguar mbi 98% të aseteve të paluajtshme të të gjithë PTK-së.
Astetet e Postës siç janë të gjitha ndërtesat, janë pjesë e ndërmarrjes së re publike Posta e Kosovës, nuk janë pjesë e privatizimit dhe nuk mund të futen në hipotekë.
Posta e Kosovës ligjërisht dhe në praktik do të vazhdojë të funksionojë si ndërmarrje e pavarur publike, ndërsa do të pranojë të hyra për qira dhe shërbime tjera që ofron tani dhe në të ardhmen për PTK-në.
Po ashtu, në këtë shkrim ka edhe një e pavërtetë – se kinse procesi është rrezikuar nga tërheqja potenciale e investitorëve.
KQP edhe njëherë shpreh bindjen se procesi i privatizimit të PTK-së është duke u realizuar në harmoni të plotë me vendimet e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe transparencë të plotë dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përgatitur kompaninë për shitje në mënyrë që të sigurohet vlera maksimale nga ky transaksion dhe të sigurohet që sektori i telekomunikacionit në të ardhmen të zhvillohet fuqishëm duke ofruar shërbime kualitative dhe me kosto më të vogël për qytetarët e vendit.

