MZHE: Vlerësimet për mungesë transparence në privatizimin e KKDFE-së janë të pavërteta
Prishtinë, 09.10. 2012 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik fillimisht dëshiron të theksojë se procesi i privatizimit të KKDFE-sit është realizuar në bazë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke respektuar në mënyrë maksimale ligjin dhe duke siguruar transparence të plotë.
Nuk qëndron vlerësimi i Konzorciumit të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ishte tërësisht e mbyllur dhe jo transparente ndaj shoqërisë civile sa i përket ofrimit të qasjes në dokumentet publike mbi të cilat është vendosur dhe zhvilluar procesi i privatizimit të KKDFE-së.
MZHE u është përgjigjur në afatin ligjor të gjitha kërkesave për qasje në dokumente zyrtare. Nga 22 kërkesa për qasje në dokumente të gjitha kanë marrë përgjigjen me kohë dhe duke respektuar normat e ligjeve në fuqi. Bile në takime me përfaqësuesit e shoqërisë civile është lavdëruar për respektim të ligjit dhe mundësimin e qasjeve në dokumente zyrtare.
Duke respektuar dispozitat ligjore, nenin 12. pika 1.7 të Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike dhe praktikat ndërkombëtare, MZHE nuk ka mundur të ofrojë qasje në dokumentet të cilat janë akoma në formë të drafteve. Në momentin kur ato dokumente marrin formën përfundimtare përmes kontratës mbi shitblerjen dhe dokumentet tjera, MZHE atyre iu heq klasifikimin e konfidenciales dhe ashtu siç ka deklaruar shumë herë ministri Beqaj do t’i bëjë publike dhe do t’i botojë në ueb faqen e vet.
Njëkohësisht, Qeveria, Komisioni Qeveritar i Privatizimit dhe Njësia për Implementimin e Procesit të Privatizimit kanë krijuar kushte që secili qytetar, apo i interesuar në proces, të ketë qasje në informatat bazë dhe rrjedhat e privatizimit gjatë gjithë procesit duke krijuar Dhomën për Informim Publik, në të cilën ishin të deponuara të gjitha dokumentet publike të procesit. Kjo Dhomë e vendosur në Njësinë për Implementimin e Projektit ka shërbyer për t’i informuar të gjithë me rrjedhat dhe vendimet në proces.
Në bazë të evidencës së dhënë nga Njësia për Privatizim dhoma është vizituar pothuajse nga gjitha palët dhe pjesëtarët e shoqërisë, në raste të veçanta jo vetëm nga një herë por edhe disa here, si nga pjesëtarë të shoqërisë civile, individë nga biznesi privat në sektorin e energjisë, punëtorë të KEK, zyrtarë nga misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësues nga mediat e vendit dhe ndërkombëtare dhe sidomos përfaqësues nga Federata e Sindikatës së Distribucionit dhe Furnizimit të KEK.
Gjithashtu me përfaqësuesit e kësaj, Sindikata disa herë është takuar ministri Beqaj dhe stafi i kabinetit të tij për t‘i informuar lidhur me rrjedhën e procesit dhe për të dëgjuar kërkesat e tyre.
Zyrtarë e Qeverisë dhe këshilltarët e angazhuar në procesin e privatizimit, kanë marrë pjesë në te gjitha debatet publike dhe mediale lidhur me çështjet e energjetikës, me qellim të informimit të publikut dhe për të siguruar transparencë dhe informim të drejtë lidhur me procesin e privatizimit.
Njëkohësisht, Qeveria me vetë-iniciativë ka organizuar debate me shoqërinë civile dhe palët e interesit, të cilët nuk i kanë shfrytëzuar disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Në hartimin e dokumenteve të pakos tenderuese dhe tërë procesin e privatizimit kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit, ekspertët e të gjitha ministrive të cilat ishin pjesë e këtij procesi, përfaqësuesit e ZRrE-së, KOSTT, KEK, dhe vëzhguesit në proces, si USAID, Banka Botërore, ICO, KfW, Komisioni Evropian e tjerë.
Propozimet dhe sugjerimet e tyre janë shqyrtuar dhe trajtuar me seriozitetin më të madh. Transparenca e procesit ka marrë lëvdata nga pjesëtarët e sektorit të energjetikës në vend si KOSTT, KEK, ZRrE dhe vëzhguesit në proces, si USAID, Banka Botërore, ICO, KfW, Komisioni Evropian e tjerë, të cilët gjatë gjithë procesit kanë qenë pjesëmarrës në cilësi të vëzhguesit dhe janë njoftuar me rrjedhat dhe vendimet në procesin e privatizimit të KKDFE.
Deklarata se parregullsitë në proces e privatizimit të KEDS-it i konfirmon hetimi që është duke e bërë Ombudspersoni i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), që është pjesë e Bankës Botërore absolutisht nuk qëndron pasi që Ombudspersoni ka për detyrë që të hapë hetimet kur ka propozime me shkrim lidhur me dyshimet në ndonjë proces. Përfaqësuesit e shoqërisë civile e dinë shumë mirë se këtë hetim e kanë kërkuar ata.

