Privatizimi i KKDFE me transparencë dhe përgjegjësi më të lartë
Prishtinë, 02.10. 2012 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik i vlerëson si të pa sakta dhe jo korrekte vlerësimet e dhëna në raportin e Institutit GAP kushtuar privatizimit të Kompanisë Kosovare të Distribuimit dhe Furnizimit të Energjisë Elektrike.
Komisioni Qeveritar për privatizimin e aseteve të KEDS-it iu është përgjigjur të gjitha kërkesave për qasje në dokumente zyrtare në rastet kur një gjë të tillë ka qenë e mundur dhe e lejuar me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe praktikat ndërkombëtare.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Njësia e Implementimit të Privatizimit u janë përgjigjur të gjitha kërkesave të GAP-it për qasje në dokumente zyrtare. Njëkohësisht Qeveria, Komisioni Qeveritar i Privatizimit dhe Njësia për Implementimin e Procesit të Privatizimit kanë krijuar kushte që secili qytetar, apo i interesuar në proces, të ketë qasje në informatat bazë dhe rrjedhat e privatizimit gjatë gjithë procesit duke krijuar Dhomën për Informim Publik, në të cilën ishin të deponuara të gjitha dokumentet publike të procesit. Kjo Dhomë e vendosur në Njësinë për Implementimin e Projektit ka shërbyer për t’i informuar të gjithë me rrjedhat dhe vendimet në proces.
Në bazë të evidencës së dhënë nga Njësia dhoma është vizituar pothuajse nga gjitha palët dhe pjesëtarët e shoqërisë, në raste të veçanta jo vetëm nga një herë por edhe disa here, si nga pjesëtarë të shoqërisë civile, individë nga biznesi privat në sektorin e energjisë, punëtorë të KEK, zyrtarë nga misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe përfaqësues nga mediat e vendit dhe ndërkombëtare dhe sidomos përfaqësues nga Federata e Sindikatës së Distribucionit dhe Furnizimit të KEK.
Gjithashtu me përfaqësuesit e kësaj Sindikata disa herë është takuar ministri Beqaj dhe stafi i kabinetit të tij për t‘i informuar lidhur me rrjedhën e procesit dhe për të dëgjuar kërkesat e tyre. Gjithashtu zyrtarë e Qeverisë dhe këshilltarët e angazhuar në procesin e privatizimit, kanë marrë pjesë në te gjitha debatet publike dhe mediale lidhur me çështjet e energjetikës, me qellim të informimit të publikut dhe për te siguruar transparencë dhe informim të drejtë lidhur me procesin e privatizimit. Njëkohësisht, Qeveria me vetë-iniciativë ka organizuar debate me shoqërinë civile dhe palët e interesit. Fatkeqësisht niveli i pjesëmarrjes ne to ishte shumë i ulët. GAP-i nuk i ka shfrytëzuar debatet e organizuara nga ana e institucioneve të vendit por edhe takimet e organizuar nergut me përfaqësuesit e shoqërisë civile, në të cilat rregullisht ishte i ftuar për të dhënë mendimin për këto projekte.
Në hartimin e dokumenteve të pakos tenderuese dhe tërë procesin e privatizimit kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit, ekspertët e të gjitha ministrive të cilat ishin pjesë e këtij procesi, përfaqësuesit e ZRrE-së, KOSTT, KEK, dhe vëzhguesit në proces, si USAID, Banka Botërore, ICO, KfW, Komisioni Evropian e tjerë. Propozimet dhe sugjerimet e tyre janë shqyrtuar dhe trajtuar me seriozitetin më të madh. Transparenca e procesit ka marrë lëvdata nga pjesëtarët e sektorit të energjetikës në vend si KOSTT, KEK, ZRrE dhe vëzhguesit në proces, si USAID, Banka Botërore, ICO, KfW, Komisioni Evropian e tjerë, të cilët gjatë gjithë procesit kanë qenë pjesëmarrës në cilësi të vëzhguesit dhe janë njoftuar me rrjedhat dhe vendimet në procesin e privatizimit të KKDFE.

