Privatizimi do të vazhdojë në përputhje me vendimet e Kuvendit
19.09.2012 – Kështu thotë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në një intervistë për Radio Kosovën. Ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, thotë se Qeveria është e përkushtuar të jetësojë të gjitha vendimet që dalin nga Kuvendi.
Privatizimi i ndërmarrjeve publike në Kosovë do të vazhdojë, në përputhje me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht të gjitha kundërshtimeve nga palë të ndryshme brenda apo jashtë Kosovës. Kështu thotë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në një intervistë për Radio Kosovën.
Pavarësisht kundërshtimeve të ndryshme, privatizimi i ndërmarrjeve publike do të zhvillohet sipas planit dhe agjendës së paraparë. Ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, thotë se Qeveria është e përkushtuar të jetësojë të gjitha vendimet që dalin nga Kuvendi.
“Procesi i privatizimit nuk është vendim i një ministrie, është vendim i Kuvendit, i cili ka kërkuar proces transparent në bazë të ligjeve të cilat janë të aplikueshme në Republikën e Kosovës dhe ne konform këtij vendimi jemi të përkushtuar për të vazhduar një proces të tillë. Jemi të bindur se privatizimi hap rrugë për zhvillim afatgjatë të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.
Çështjen e punëtorëve të ndërmarrjeve publike qeveria e ka trajtuar me prioritet, prandaj ministri Beqaj thotë se ata nuk duhet të kenë frikë se mund të humbin vendet e tyre të punës.
“Siguria e punëtorëve është e siguruar shumë më mirë sesa në çdo rrethanë tjetër. Punëtorët me kontrata të përhershme i mbron ligji i punës, kurse ata me kontrata të përkohshme, iu ka garantuar për një periudhë trevjeçare që as në këto rrethana nuk e kanë”, ka deklaruar Brqaj.
Distribucioni i KEK-ut, është shitur në muajin qershor, për 26 milionë e 300 mijë euro. Ndonëse pranon se çmimi i ofruar për këtë kompani, nuk është i kënaqshëm, Beqaj thotë se kjo është çështje e ekonomisë së tregut, pasi kriter i vetëm ka qenë çmimi më i lartë. Por, ai thekson se kompania Limak Çalik do të bëjë rreth 300 milionë euro investime në kompani.
Kontrata me këtë kompani do të nënshkruhet muajin e ardhshëm, sqaron Beqaj.
“Ne presim që para datës 15 tetor ta kemi të nënshkruar. Kalimi komplet është i paraparë për një periudhë tranzitore prej gjashtë muajsh dhe deri në atë kohë duhet të bëhen marrëveshjet për blerje të energjisë dhe gjërat tjera, por që jemi në harmoni komplet me agjendën të cilën e kemi përcaktuar”, ka theksuar ai.
Sa i përket privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së, komiteti ndërministror ka shpallur kriteret e pakos tenderuese dhe ka ftuar pesë kompanitë e parakualifikuara të marrin pjesë në garë për këtë kompani. Ministri Beqaj thekson se brenda vitit do të shpallet fituesi.
Por ai mohon se deri tani është marrë ndonjë vendim sa i përket gjigantit metalurgjik “Trepça”, që aktualisht menaxhohet nga AKP-ja.
BSPK-ja për nesër ka paralajmëruar protestë, në kohën kur pritet të zhvillohet edhe debat parlamentar për këtë çështje, ndërkaq ditë më parë ka dorëzuar edhe peticionin me mbi 62 mijë nënshkrime të qytetarëve.

