Koha për marrëveshje ekonomiko-tregtare Kosovë- Shqipëri

Prishtinë, 31 gusht 2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe  homologu i tij, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto kanë vlerësuar se ka ardhur koha që vullneti dhe gatishmëria politike të institucionalizohet me një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar.

Gjatë një takimi që zhvilluan sot në Tiranë, Beqaj dhe Haxhinasto janë pajtuar që këtë vit të mabahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Kosovë, i cili do t’i japë një shtytje të fuqishme marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan se karakteri strategjik i marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, të cilat synojnë të shndërrohen në marrëdhënie model në rajon, është në përputhje me dëshirat dhe aspiratat e dy vendeve, për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Ministrat Beqaj dhe Haxhinasto kanë vlerësuar trendin pozitiv në rritje sa i takon shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve, ndërsa theksuan se ka ende vend për rritjen, zgjerimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, investimeve në infrastrukturë, turizëm, krijimin e një tregu unik energjetik, etj.

Të dy homologët vlerësuan se një fushë shumë e rëndësishme bashkëpunimi është zhvillimi i sektorit dhe tregut të gazit natyror, si dhe integrimi i sistemeve energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës, për shfrytëzimin e potencialeve energjetike ujore të Shqipërisë, dhe ato të rezervave të qymyrit të Kosovës.

Me këtë rast është vënë në dukje interesi në ndërtimin e përbashkët të kapaciteteve të reja elektrogjeneruese Shqipëri-Kosovë dhe bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive që transiti i mallrave drejt Kosovës të bëhet direkt në portin e Durrësit.