Klimë e mirë konkurruese për privatizimin e PTK-së

Prishtinë, 05.03.2013 – Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP) ka mbajtur takimin e vet të radhës dhe ka analizuar mbarëvajtjen e procesit të privatizimit, vetëm 10 ditë para afatit përfundimtar për dorëzim të ofertave nga kompanitë konkurrente dhe ka konstatuar se ekziston një klimë e mirë konkurruese për privatizimin e kësaj ndërmarrje të rëndësishme publike dhe pret që kjo klimë të vazhdojë edhe mëtutje me marrjen e ofertave kualitative me 14 mars kur edhe është afati për pranimin e ofertave.

Në këtë mbledhje KQP ka miratuar edhe rekomandimet e këshilltarit të transaksionit dhe atij strategjik, si dhe raportin vlerësues, për ndryshime në konsorciumin e përbërë nga kompanitë ColumbiaCapital dhe ACP AxosCapital GMBH.

Në mbledhje është konstatuar se kompania AxosCapital plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe lejohet të bëhet udhëheqëse e këtij konsorciumi. Nga  ky konsorcium është larguar ColumbiaCapial, ndërsa të njëjtit konsorcium tanimë të udhëhequr nga ACP AxosCapital, i është bashkuar edhe NajafiCompanies.

KQP vlerëson procesi ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme përfundimtare dhe suksesi i këtij projekti do të përbëjë një hap të rëndësishëm përpara për shtetin e Kosovës.