Kristalet e Trepçës ndër më të njohurat në rajon

Prishtinë, 22.06. 2012 – Muzeu Shtetëror i Kristaleve dhe Mineraleve të Kosovës ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Kosovën në nivelin nacional e rajonal dhe shpresojmë që ky institucion do të jetë urë lidhëse e shkencës, ekonomisë, historisë dhe kulturës së shtetit tonë të ri, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente Beqaj i bëri sot në ceremoninë e inaugurimit të Muzeut Shtetëror të Kristaleve dhe Mineraleve në Stantërg të Mitrovicës, ku të pranishëm ishin ministra të Qeverisë, drejtues të menaxhmentit të Trepçës, përfaqësues të korit diplomatik në Prishtinë dhe qytetarë të shumtë.

Beqaj tha me këtë rast se, bazuar në faktet historike, shfrytëzimi i plumbit, zinkut dhe argjendit në Kosovë përbën një traditë qytetare dhe zë vend të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Për këtë arsye vlerësimi dhe trajtimi institucional përbën një detyrë të veçantë për të gjithë.

“Minierat e plumb–zinkut e në veçanti miniera e “Trepçës” në Stantërg është një ndër vendburimet më atraktive dhe më të njohura në regjion dhe më gjerë, për nga shumëllojshmëria, madhësia dhe bukuria e kristaleve të zbuluara gjerë tani në këtë vendburim”, tha ai.

Ai tha se kristalet e zbuluara në këtë vendburim janë mbledhur nga punëtorët dhe inxhinierët e Trepçës, dhe kjo ka rezultuar me themelimin e Muzeut të Kristaleve të Trepçës në vitin 1964. Në fillim numri i ekzemplarëve ka qenë vërtetë simbolik, por me kalimin e kohës ky muze bëhet i njohur dhe i rëndësishëm edhe në qarqet botërore. Ndërkohë, që për arsye viteve të errëta të historisë së Kosovës, eksponatet nuk janë mirëmbajtur sipas traditës tonë dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

“Pikërisht, gjendja e ndërtesës së muzeut, ka qenë shkas i vendimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe “Trepçës”, për ndërtimin e objekti të ri të këtij muzeu me interes strategjik”, tha Beqaj, duke shtuar se objekti i ri i muzeut është modern, me të gjithë parametrat kulturorë dhe turistikë dhe i njëjti është ndërtuar sipas standardeve më bashkëkohore.

Ndërsa, zv.ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ilir Mirena tha se duke e ditur se Kosova ka resurse të mëdha të kristaleve dhe të mineraleve, MMPH në bashkëpunim me MZHE-në si dhe ndërmarrjen “Trepça” e kanë parë të arsyeshme që ta përkrahë këtë projekt, ndërsa nënvizoi se është përgatitur edhe infrastruktura institucionale që tash e tutje ky muze të ketë mbështetjen institucionale.

Nga ana e tij, menaxheri i “Trepçës”, Ferat Shala duke folur për projektin e muzeut tha se vlera e tij është rreth 560 mijë euro, ndërsa në të janë të ekspozuara rreth 1500 eksponate të kristaleve dhe mineraleve të zgjedhura të Kosovës.

Shala më pas foli për performancën e “Trepçës”, duke shtuar se Miniera e “Stan Tërgut” tani ka 1513 punëtorë, dhe ka ngritur të hyrat vetanake, derisa vetëm vitin e kaluar ka pranuar 200 punëtorë të rinj.

Menaxheri i “Trepçës” tha se ndërmarrja ka pasur mbështetjen e Qeverisë japoneze dhe Çeke, ndërkaq ka nënvizuar si sfidën më të madhe ristrukturimin e Kompleksit industrial “Trepça”.

Krejt në fund ministri Beqaj, i shoqëruar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, zv.ministri i Mjedisit, Ilir Mirena dhe menaxheri i Trepçës, Ferat Shala kanë prerë shiritin inaugurues të muzeut dhe kanë vizituar mjediset e brendshme të tij.