Ministri Beqaj hapi panairin RealEx Prishtina 2012
Prishtinë, 01.03. 2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj, ka hapur Panairin dhe Konferencën Ndërkombëtare të patundshmërive “RealEx Prishtina 2012”, në të cilin panair marrin pjesë liderët rajonal të zhvillimit të sektorit të pasurive të patundshme.
Me këtë rast Ministri Beqaj ka pohuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për të eliminuar barrierat e mundshme në mënyrë që Kosova të shndërrohet në një shtet joshës për investitorët përfshirë këtu edhe fushën e ndërtimtarisë.
“Qeveria e Kosovës është tërësisht e angazhuar në garantimin e të gjitha reformave që stimulojnë zhvillimin e sektorit privat, ku pa dyshim që zhvillimi i sektorit të ndërtimtarisë dhe patundshmërisë është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ministri Beqaj.
Ai më tej ka shtuar se organizimi i Panairit dhe Konferencës Ndërkombëtare të Patundshmërisë është një mundësi unike për të sjellë pranë të gjithë akterët kyç të këtij sektori si kompanitë ndërtuese, investitorët potencial siç janë; Bankat, agjencionet e patundshmërive dhe Qeverinë e Kosovës si rregullatorin e këtij sektori.
”Jam i sigurt së gjatë këtij evenimenti do të mund të krijohen lidhjet e nevojshme ndërmjet këtyre akterëve, që do të mund të sjellin lindjen e projekteve të rëndësishme për vetë sipërmarrësit, por edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë ministri Beqaj.
Ndërsa Arben Jusufi drejtor gjeneral i “Leoron Group” njëherit organizator i Panairit tha se Panairi do të ofrojë mundësi të mira që akterët e fushës së patundshmërive të komunikojnë mes vete nga i cili komunikim pret të dalin edhe projekte konkrete.

