Ministri Beqaj merr pjesë në Samitin botëror të energjetikës në EBA

Prishtinë, 16 janar 2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj udhëton sot për në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku do të marrë pjesë në Samitin Botëror për të Ardhmen e Energjetikës që mbahet nën patronatin e emirit të Abu Dhabit, Mohamed bin Zayed al Nahyan.

Në këtë samit pritet të marrin pjesë përfaqësues të mbi 140 shteteve, në mesin e të cilëve edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga  ndërsa ministri Beqaj do të shfrytëzojë rastin të zhvillojë takime bilaterale me homologë të vendeve të ndryshme pjesëmarrës në këtë eveniment.

Mes pjesëmarrësve është edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, zyrtarë të tjerë të lartë të OKB-së, presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të energjetikës dhe përfaqësues të tjerë të lartë të shteteve nga e mbarë bota.