Beqaj: KEK po ndërton qëndrueshmëri financiare

Prishtinë, 11 janar 2012 – Synimet e Qeverisë së Kosovës janë që ndërmarrjet publike të jenë të vetëqëndrueshme dhe të mos varen nga subvencionet që duhet t’i japë Qeveria për to, ndërsa investimet vetanake të KEK-ut tregojnë seriozitetin dhe qëndrueshmërinë, të cilën po e ndërton kjo ndërmarrje, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Ministri Beqaj i bëri këto komente sot me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Trafostacionit Prishtina 7, projekt me vlerë afro 5 milionë eurosh, investim i KEK-ut, ndërsa do të realizohet nga kompania e njohur ABB.

Ministri Beqaj tha se Qeveria ka vazhduar me reduktimin e subvencionimeve mu për shkak të sukseseve dhe rritjes së inkasimit dhe nivelit më të mirë të funksionimit të KEK-ut, që është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët dhe zhvillimet institucionale të cilat janë duke u bërë.

“Qeveria ka për synim furnizim sa më të sigurt me energji elektrike për qytetarët dhe me  fatura të cilat ata mund t’i përballojnë. Ne jemi në faza të reja kur planifikimet janë duke u bërë nga institucionet e pavarura siç janë: KEK-u, KOSTT, dhe kemi hyrë në një  fazë të një reforme strukturale të sektorit të energjisë, reformë e cila do të vazhdojë me proceset të cilat i kemi filluar”, tha Beqaj, duke iu referuar privatizimit të distribucionit dhe projektit të TC “Kosova e Re”.

Ndërsa, Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj tha se KEK-u po bën përpjekje maksimale që të ofrojë shërbime sa më kualitative për konsumatorët e vet dhe kjo është një sfidë që nënkupton investime në vlera të mëdha në të gjithë sektorët e korporatës anekënd vendit.

Ai tha se investimet në Rrjetin e Shpërndarjes janë të shumta për ta përballuar kërkesën në rritje të vazhdueshme për energji elektrike dhe puna që po bën korporata është përshëndetur edhe nga Qeveria e Kosovës. 

Menaxheri rajonal i kompanisë ABB, Darko Eisenhuth është zotuar që TS do të ndërtohet në bazë të standardeve evropiane dhe botërore.

Ky investim është i domosdoshëm si pasojë e zgjerimit të kërkesës për ta evituar ngarkesën në lagjet Bregu i Diellit, Matiçan, Lagjja e Spitalit, Veternik, Çagllavicë, Preoc, Hajvali, si dhe potencialisht zonës industrial përreth QMI-së.

Me këtë, spitalet do të kenë furnizim më të qëndrueshëm, duke iu ofruar furnizim alternativ për t’u përballur me emergjenca dhe ky TS do t’i mundësojë KEK-ut të sigurojë linja të veçanta 10 (20) kV për konsumatorët industrialë.