Ministri Beqaj priti një grup biznesmenësh nga Turqia
Prishtinë, 10 janar 2012 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot një delegacion biznesmenësh nga Turqia, të cilët i ka informuar me zhvillimet në fushën e ekonomisë, perspektivën ekonomike të Kosovës dhe infrastrukturën ligjore.
“Kemi shënuar përparim në legjislacionin që krijon një bazë të mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, bazë kjo e cila krijon lehtësime për investitorët e huaj” ka thënë ministri Beqaj, duke i ftuar biznesmenët e turq për të investuar në Kosovë.
Ministri Beqaj po ashtu ka ftuar biznesmenët turq që fokusin e tyre ta kenë jo vetëm në fushën tregtare por edhe në aktivitetet prodhuese, të cilat do të kontribuonin pozitivisht tek ekonomia e vendit dhe njëkohësisht do të shënonin avancimin e sektorit privat.
Kreu i MZHE-së Beqaj gjithashtu me këtë rast ka njoftuar delegacionin turk se Qeveria tashmë ka hartuar prioritet e zhvillimit ekonomik, të cilat përcaktojnë orientimet e qarta në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Qeveria ka për synim nxitjen e investitorëve të huaj në vend, ku ndër hapat është edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërshtetërore për eliminimin e taksimit të dyfishtë“, ka thënë ministri Beqaj, duke shtuar se përmirësimi i ambientit biznesor është njëri nga angazhimet kryesore të Qeverisë së Kosovës.
Nga ana tjetër delegacioni i biznesmenëve turq ka shprehur interesimin e tyre për të investuar në Kosovë, kryesisht në fushën e energjisë, minierave dhe ndërtimtarisë.

