Propozohet forum biznesor Kosovë-EBA
Prishtinë, 20 dhjetor 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj ka pritur sot Ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Ankara, jorezident për Kosovë, Khalid Khalifa Al Mualla me të cilin diskutoi rreth mundësive të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Me këtë rast, ministri Beqaj ka shpalosur prioritetet e zhvillimit ekonomik të vendit dhe ka njohur delegacionin e EBA-së me projektet që janë duke u realizuar dhe ato që pritet të realizohen në të ardhmen kryesisht në sektorët e energjisë, minierave dhe telekomunikacionit.
Ministri Beqaj, e njoftoi ambasadorin e EBA-së edhe me potencialet e Kosovës në fushën e përpunimit të ushqimit, duke nënvizuar se ende vendi importon një pjesë të madhe të produkteve ushqimore dhe ftoi kompanitë e EBA-së të investojnë në këtë sektor, i bindur se do gjejnë një treg të përshtatshëm.
Nga ana e tij, Ambasadori Khalid Khalifa Al Mualla ka theksuar se informacionin e marrë do të përcjell në vendin e tij me qëllim që investitorët në këtë vend të kenë njohuritë e mjaftueshme për ambientin e investime në Kosovë.
Al Mualla e njoftoi ministrin Beqaj se është i interesuar të organizoj një forum biznesi mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ku do të merrnin pjesë kompani nga të dy vendet, për çka ministri Beqaj është shprehur i gatshëm të ofrojë mbështetjen e MZHE-së për këtë dhe nismat tjera për bashkëpunim ekonomik.

