12 rrugë të Ferizajt bëhen me ndriçim eficientë

Prishtinë, 10 dhjetor 2011 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik, krahas angazhimeve të tjera, një rëndësi të veçantë po i kushton projekteve që kanë për qëllim promovimin e efiçiencës së energjisë, me çka rritet siguria e furnizimit më energji elektrike, ka deklaruar zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani.

Këto komente Hasani i bëri dje në Ferizaj, ku së bashku me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli dhe përfaqësuesin e GIZ-it, inauguruan projektin e ndriçimit eficientë në 12 rrugë të këtij qyteti.

Zv.ministri Hasani tha se ky projekt është në kuadër të projektit”Zbatimi i masave efiçiente të energjisë në institucionet publike në kuadër të realizimit të Planit Kombëtar të EE-s, sipas kërkesave të BE-së dhe TKE-së.

Ai bëri të ditur se vlera totale e këtij projekti për Komunën e Ferizajt kap vlerën e rreth 64 mijë euro, nga të cilat 54 janë investim i MZHE-së, 5 mijë i KK të Ferizajt dhe 5 mijë të GIZ-it.

Nga ana tij, kryetari i Komunës së Ferizajt Bajrush Xhemajli ka falënderuar MZHE-në për këtë investim rëndësishëm që do të ndikojë direkt në jetën e qytetarëve dhe njëkohësisht kurset energjia elektrike.

Xhemajli tha se kursimi vjetor i energjisë vetëm me këtë projekt kap vlerën rreth 19 mijë euro, ndërsa tha se edhe në të ardhmen do të vazhdohet me projekte të tilla që kanë për qëllim efiçiencën e energjisë.

Edhe përfaqësuesi i GIZ-it është shprehur i kënaqur me realizimin e këtij projekti të efiçiencës së energjisë duke nënvizuar bashkëpunimin e mirë të GIZ-it me institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës.

Ndryshe, projekti i ndriçimit efiçient në Ferizaj është pjesë e projektit dyvjeçar “Zbatimi i masave efiçiente të energjisë në institucionet publike” që ka përfshirë komunat: Prishtinë, Gjilan, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Podujevë, bashkëfinancim i MZHE-së, komunave dhe GIZ-it.