Beqaj: Politikat e Qeverisë favorizojnë biznesin vendor

Prishtinë, 20 tetor 2011 – Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me investimet e saj kapitale të cilat në mënyrë direkte ndikojnë në zhvillimin e ndërmarrjeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, ka deklaruar sot ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj.

Këto komente Beqaj i bëri me rastin e inaugurimit të linjës të prodhimit të mburojave metalike të rrugëve në fabrikën Vinex në Viti, ku të pranishëm ishin edhe zv.kryeministrja Mimoza Kusari-Lila, kreu i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, kryetari i Komunës, Nexhmedin Arifi dhe përfaqësues të USAID-it dhe GIZ-it.

Beqaj tha se investimi fabrika të tilla siç është “Vinex” çon drejt realizimit të përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për të krijuar një ambient më të mirë për sektorin privat, e veçanërisht për prodhuesit.

“Ajo çka po promovojmë sot këtu, përveç se tregon një përkushtim maksimal të investitorit privat të kësaj kompanie, tregon edhe përkushtimin e partnerëve ndërkombëtarë USAID dhe GIZ, të cilët po ndihmojnë sjelljen e përvojës ndërkombëtare në Kosovë dhe po rrisin konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve tona”, tha Beqaj.

Ai tha se Qeveria do të vazhdojë të avancojë bazën ligjore dhe përshtatjen e politikave fiskale me interesat e biznesit në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, respektivisht interesave të qytetarëve.

Nga ana tjetër, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila ka thënë se Qeveria e Kosovës me hapat që ka ndërmarrë kohëve të fundit ka treguar se prodhuesit vendor mund të konkurrojnë si në tregun e vendit ashtu edhe në ato rajonale  me të gjithë prodhuesit tjerë.

Ajo tha se Qeveria është e vendosur të vazhdojë me politikat që do të lehtësojnë prodhimin vendor duke kaluar kufijtë e vendit dhe emri ‘Made in Kosova” të jetë emër i garancisë dhe kualitetit. 

Ndërkaq, kreu i OEK-ut, Safet Gërrxhaliu ka vlerësuar investimet e Vinex si një kontribut në ekonominë e vendit dhe një partneritet i suksesshëm me USAID dhe GIZ, ndërsa vlerësoi edhe përkrahjen e Qeverisë, respektivisht resorëve që mbulojnë këtë fushë.

Edhe përfaqësuesit e USAID-it dhe GIZ-it kanë vlerësuar se Vinex është një storie e suksesshme e një ndërmarrjeje shoqërore të privatizuar, e cila arriti të kalojë sfidat të rris investimet dhe numrin e të punësuarve.

Në fund, drejtori i kësaj ndërmarrje Isuf Zuka ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe qendrore, të cilat kanë bërë që ky prodhues të ketë sukses.