Beqaj: Opinioni i TKE-së, fitore ligjore për Kosovën

Prishtinë, 12 tetor 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj e ka quajtur moment të rëndësishëm opinionin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE), me të cilin konstatohet se Serbia është shkelës i Rregullave të Traktatit në raport me Kosovën, ku i kërkohet që brenda dy muajsh të korrigjojë shkeljet e konstatuara.

Këto komente, Ministri Beqaj i bëri sot gjatë një konference të përbashkët me drejtorin menaxhues të KOSTT-it Fadil Ismajli, ku dhanë detaje të këtij opinioni dhe rëndësinë e tij, ndërsa u vu në dukje se Republika e Kosovës ka marrë pozicionin e duhur në kuadër të TKE-së.

Me këtë rast, ministri Beqaj nënvizoi se përveç anës financiare dhe teknike ky opinion i Sekretariatit të TKE-së ka një rëndësi të veçantë ngase me të Republika e Kosovës shënon një fitore ligjore në këtë mekanizëm, derisa identifikohet qartë se kush është shkelësi i Traktatit.

Ai tha se Serbia mund të përpiqet edhe më tutje, do të bëjë manipulime të tilla por ajo çfarë është e rëndësishme është fakti se në mënyrë unanime është konstatuar shkelja, ndërsa Kosova do të vazhdojë të gjitha procedurat për të marrë atë që i është mohuar me vite të tëra.

Ministri Beqaj ka bërë të ditur se Kosova tashmë përfaqësohet në Komitetin Këshillëdhënës të TKE-së që merret me trajtim të kontesteve në kuadër të këtij mekanizmi, ndërsa është në proces të emërimit të një zyrtari për hartimin e strategjisë rajonale për energji në TKE me kërkesë të Traktatit.

Kreu i MZHE-së ka thënë gjithashtu se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga ky traktat, përfshirë ato legjislative ku hyn miratimi i ligjeve si ai për efiçiencë, Plani i veprimit etj, ndërsa tani është në fazën e përgatitjeve për marrëveshje bilaterale.

Nga ana e tij, drejtorin menaxhues të KOSTT-it Fadil Ismajli duke dhënë detaje nga opinioni i TKE-së lidhur me kontesti Kosovë-Serbi, tha se në të është konstatuar se Serbia ka shkelur pikat 3 dhe 6 që kanë të bëjnë me kompensimin për transitet e energjisë elektrike dhe shfrytëzimin e të hyrave  nga alokimi i kapacitetit në interkonektorët e energjisë elektrike të KOSTT-it.

Ai tha se me këtë opinion Serbia obligohet që brenda dy muaj të bëjë korrigjimin në të kundërtën rasti do t’i kalojë Këshillit të Ministrave të TKE-së dhe në rast të mospajtimeve, Kosova mund ta çojë këtë çështje në gjykatën ndërkombëtare, ngase sipas tij dëmet që i janë shkaktuar vendit tonë variojnë nga 5-deri në 10 milionë euro në vit.

Ndryshe, në opinionin e TKE-së që është përgjigje në ankesën e dërguar nga KOSTT me 2008 ndër të tjera thuhet: “Sekretariati mendon se sjellja e EMS, që i atribuohet Republikës së Serbisë, nuk është në pajtueshmëri me nenet 3 dhe 6 të Rregullores (EC) 1228/2003 për kushtet për qasje në rrjete për këmbime ndërkufitare të energjisë elektrike”.