Beqaj: MZHE angazhohet për treg të vetqëndrueshëm të energjisë
Prishtinë, 29 shtator 2011 – Politikat afatgjate që po krijon Qeveria për sektorin e energjisë kanë për qëllim krijimin e një tregu të vetqëndrueshëm të energjisë, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ndërsa mospjesëmarrjen e një pjese të përfaqësuesve të shoqërisë civile në tryezën për energjinë e ka vlerësuar si mungesë të gatishmërisë së tyre për ballafaqimin e argumenteve.
Kreu i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), ka vënë në dukje se ministria ka kohë që ka planifikuar të organizojë takime me përfaqësuesit e shoqërisë civile për energjinë, mirëpo takimet e parapara me 2 gusht dhe 2 shtator janë shtyrë me kërkesë të shoqërisë civile.
“MZHE edhe më tej është e hapur për bashkëpunim me shoqërinë civile. Vendimmarrja i takon Qeverisë dhe Kuvendit, derisa OJQ-të përfshihen në këtë proces përmes konsultimeve”, tha ministri Beqaj.
Më pas duke u ndalë te objektivat e Qeverisë, Beqaj tha se Strategjia e Energjisë 2009-2018 ka tri objektiva themelore, të cilat kanë për qëllim; sigurimin e furnizimit të rregullt me energji dhe ajo të jetë e përballueshme për qytetarët, tregu i energjisë të jetë i vetqëndrueshëm pa subvencionet e qeverisë dhe kujdesi ndaj mjedisit të jetë konform standardeve ndërkombëtare.
Sipas ministrit, orientimet e MZHE-së janë që deri në vitin 2017 të dekomisionohet TC “Kosova A”, të fillojë prodhimin TC “Kosova e Re”, të rehabilitohet TC “Kosova B”, të hapet tregu i energjisë dhe të eliminohen subvencionet, pra sektori të jetë i vetëqëndrueshëm dhe humbjet komerciale të jenë në nivel ndërkombëtar, ndërsa humbjet teknike të sillen në kuotën në 11 për qind.
Në këtë tryezë, përveç drejtuesve të MZHE-së, MIE-së, MI-së, MMPH-së, ishin edhe drejtues të projekteve PATEL, KEDS, kompanive KEK , KOST, ZRRE-së, Bankës Botërorë, IFC-së etj.
Përfaqësuesit e PATEL dhe KEDS kanë prezantuar me këtë rast stadin e zhvillimit të projekteve TC “Kosova e Re” dhe privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit.

