Ministri Beqaj priti ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë Stojan Karajanov

Prishtinë, 26  shtator 2011 – Ministri i  Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj ka pritur në takim Ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë  Stojan Karajanov. Në takim  është diskutuar realizimi i Forumit biznesor Kosovë- Maqedoni, i cili pritet të organizohet në mes të muajit tetor me iniciativë të ministrit Beqaj.

Me këtë rast ministri Beqaj ka falënderuar Ambasadorin Karajanov për gatishmërinë e Maqedonisë për të marrë pjesë në këtë Forum nga i cili është shprehur se pret rezultate konkretet të cilat janë në interes të sektorit privat për të dyja shtetet.

Ndërsa, ambasadori Karajanov ka falënderuar ministrin Beqaj për iniciativën për mbajtjen e Forumit, i cili do të thelloj bashkëpunimin mes dy shteteve. Në forumin biznesor do të jenë të pranishëm zyrtarë të lartë shtetëror nga Kosova dhe Maqedonia, komuniteti i  biznesit nga dyja shtetet ku do të kenë mundësi të takohen dhe diskutojnë rreth alternativave të bashkëpunimit ekonomik  mes dy shteteve në të ardhmen.

Gjithashtu, në kuadër të këtij Forumi  do të diskutohet  implementimi i marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik të nënshkruar në mes dy shteteve.
Ministri Beqaj, po ashtu ka pritur në takim përfaqësuesit e  kompanisë austriake SOLARINVEST me të cilët është diskutuar  për potencialet investuese në prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Me këtë rast  ministri Beqaj i ka siguruar përfaqësuesit e SOLARINVEST që Kosova është vend atraktiv për investime të huaja të cilët trajtohen në mënyrë të barabartë me investitorët vendor dhe kjo u garantohet përmes ligjeve në fuqi, të cilat janë në harmoni me ligjet e BE-së.

Ndërsa, përfaqësuesit e SOLARINVEST kanë shpalosur projekte  konkrete investuese në këtë sektor dhe posaçërisht në prodhimin e energjisë solare.