MZHE: Dokumenti Projektet Energjetike në Kosovë nuk pasqyron gjendjen reale në sektorin e energjisë
Prishtinë, 17 shtator 2011 – Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), pas një analize të gjithanshme vlerëson se konstatimet në dokumentin e KIPRED-it, FIQ-it dhe GAP-it “Projektet energjetike në Kosovë” nuk pasqyrojnë gjendjen reale të sektorit të energjisë, nuk dallon përgjegjësitë institucionale, është joprofesional, jokredibil, nuk është i bazuar në fakte dhe si rezultat e keqinformon publikun.
Konstatimi i MZHE-së vjen pas një analize të dokumentit nga zyrtarët e Ministrisë, si dhe ekspertë të fushës së energjisë, me qëllim që opinioni publik të njoftohet saktë lidhur me vlerësimet dhe konstatimet në dokumentin “Projektet Energjetike në Kosovë” të botuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Forumi për Iniciativa Qytetare dhe Instituti GAP.
Zhvillimi i sektorit energjetik të Kosovës është duke u bërë pas studimeve të detajuara dhe me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjate të funksionimit të tregut të energjisë elektrike dhe aseteve të instaluara. Objektivat kryesore të strategjisë së energjisë janë që të arrihet pavarësi dhe furnizim i mjaftueshëm me energji elektrike, që të kujdesemi ndaj ambientit dhe që tregu i energjisë të jetë i vetëqëndrueshëm, duke eliminuar nevojën për subvencione nga Qeveria dhe duke mundësuar që tarifat të jenë të përballueshme për qytetarët e Kosovës.
Rezultatet konkrete nga implementimi i strategjisë së energjisë do të jenë:
• Hyrja në operim i termocentralit “Kosova e Re”, i cili do të jetë i financuar nga kapitali privat dhe do të operojë në bazë të teknologjive më të fundit ambientale;
• Rehabilitimi i plotë i Termocentralit “Kosova B”, që të mundësojë operimi i këtij termocentrali duke përmbushur kriteret e përcaktuara nga direktivat e Unionit Evropian;
• Dekomisionimi i Termocentralit “Kosova A”, i cili do të ketë ndikim shumë pozitiv në uljen e ndotjeve;
• Tregu i furnizimit me energji elektrike të jetë i hapur, ku konsumatorët do të mund të zgjedhin furnizuesin e tyre dhe në këtë formë do të sigurohen çmimet më të ulëta në treg;
• Investimet në sistemin e distribucionit, me qëllim që humbjet teknike të jenë në një nivel me vendet e avancuara evropiane; si dhe
• Eliminimi i subvencioneve dhe i humbjeve komerciale, duke siguruar vetëqëndrueshmëri financiare të sektorit të energjisë.
Njëkohësisht, dëshirojmë ta informojmë publikun lidhur me disa keqinformime që janë prezantuar në dokumentin e KIPRED, FIQ dhe GAP.
Transparenca e Projekteve
Qeveria e Republikës së Kosovës është duke menaxhuar procesin e transferit të pronës publike në pronë private, duke u bazuar në standardet më të larta të transparencës dhe konkurrencës. Për të gjitha këto procese ekzistojnë dispozita të qarta ligjore dhe procedurale përmes të cilave arrihet deri tek marrja e vendimeve që sigurojnë qëndrueshmëri afatgjate të sektorit të energjisë.
Vendimmarrja dhe komentimi i dokumenteve bëhet përmes grupeve të strukturuara në të cilat marrin pjesë ekspertë kompetentë nga agjencitë dhe ndërmarrjet kompetente të fushës së energjetikës, përfshirë KEK, KOSTT, ZRRE, KPMM, Këshilltarët e Transaksionit, përfaqësues ekspertë të deleguar nga Ministritë që përbëjnë Komitetin e Privatizimit të KEDS dhe Komitetin Drejtues të Projektit TC ‘Kosova e Re’, si dhe ekspertë të angazhuar nga donatorët, përfshirë Bankën Botërore dhe USAID-in.
Njëkohësisht, pasi që të sigurohet harmoni e plotë për të gjitha detajet, atëherë për projektin e privatizimit të KEDS bëhet vendimmarrja nga Komiteti i Privatizimit, i përbërë nga Ministrat e MZHE, MEF, MTI, MMPH dhe MPMS, ndërsa për projektin e TC ‘Kosova e Re’ në Komitetin vendimmarrës marrin pjesë edhe ZRRE dhe KPMM.
Vendimmarrja është shumë transparente, pasi që në të gjitha këto komitete marrin pjesë edhe organizatat e jashtme, përfshirë ICO, Komisioni Evropian, Banka Botërore, USAID dhe Kfw. Ndërsa, lidhur me këto vendime opinioni publik informohet rregullisht.
Disa nga pretendimet e grupeve të caktuara nga shoqëria civile kanë qenë që të kenë qasje në draft-dokumente, publikimi i të cilave do të kishte ndikim shumë negativ në interesimin e investitorëve dhe do ta ulte konkurrencën në projekt.
Me qëllim të sigurimit të transparencës, janë organizuar fokus-grupe me gazetarë, janë bërë informime publike dhe me përfaqësues të sindikatave të punëtorëve, si dhe takime informative edhe me palë të tjera të interesit në këtë sektor që vijnë nga publiku i gjerë.
Njëkohësisht, për projektin ‘Kosova e Re’ është bërë debat i gjerë me komunitetin e afektuar, ku janë mbajtur më shumë se 60 takime publike.
MZHE ka ftuar disa herë përfaqësuesit e shoqërisë civile për takime, të cilat janë shtyrë me kërkesën e përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Energjia e Ripërtëritshme
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka dhënë një prioritet të veçantë diversifikimit të burimeve energjetike dhe promovimit të energjisë së ripërtëritshme. Si rezultat, ligjet e energjisë janë plotësisht të harmonizuara me paketën e dytë të direktivave të Unionit Evropian, si dhe në rastet e energjisë së ripërtëritshme janë të harmonizuara edhe me paketën e tretë të këtyre direktivave.
Këto ligje i japin prioritet energjisë së ripërtëritshme, duke adoptuar procedurën e autorizimit, si dhe garantimin e shitjes së energjisë me tarifat nxitëse të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Njëkohësisht, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë studime dhe planifikon të bëjë edhe studime shtesë në mënyrë që të identifikohen projektet potenciale. Rezultatet e këtyre reformave janë evidente, pasi që në një periudhe prej më pak se 1 vit nga hyrja në fuqi e ligjeve të energjisë, rregullatori i energjisë ka pranuar aplikacione për marrjen e autorizimit për ndërtimin e stabilimenteve për prodhimin e energjisë elektrike nga era dhe uji me kapacitet të instaluar deri në 200 MW.
Pavarësia dhe siguria e furnizimit janë parimet kyçe të planifikimit, operimit, shfrytëzimit dhe zhvillimit të sistemit elektroenergjetik, ndërkaq në rastin e Kosovës vetëm rezervat e qymyrit që janë në dispozicion mund të sigurojnë nivel të lartë të sigurisë së furnizimit në periudhë afatgjate me energji elektrike për konsumatorin. Kjo është për arsye se të gjitha studimet kanë treguar se Kosova nuk ka resurse të mjaftueshme të ripërtëritshme për t’i përmbushur kërkesat afatgjate të energjisë dhe sigurimit të një kostoje të energjisë që është e përballueshme për qytetarin e Kosovës.
Kompanitë e Parakualifikuara
Qeveria e Kosovës është duke menaxhuar proceset e prokurimit, duke respektuar plotësisht ligjet e Kosovës, si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të konkurrencës dhe trajtimit të barabartë. Për të gjitha këto projekte janë bërë hulumtime për interesimin e investitorëve nga këshilltarët e transaksionit, si dhe janë bërë njoftime për shpallje të interesimit. Përzgjedhja e kompanive të parakualifikuara është bërë me tender ndërkombëtar dhe shpalljet janë bërë në revistat me renome ndërkombëtare, përfshirë ‘The Economist’, ‘Financial Times’, ‘Wall Street Journal’, ‘Infrastructure Journal’ dhe ‘UNDB’. Vetëm ato kompani që i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara qartë kanë arritur të parakualifikohen. Për t’u parakualifikuar, kompanitë është dashur të dëshmojnë se kanë eksperiencë të mjaftueshme në operimin e kompanive të cilat janë shumë më të mëdha se ato të Kosovës, se kanë mundësi të financimit të projekteve, dhe se përmbushin obligimet ligjore dhe të menaxhimit korporativ. Kjo dëshmohet edhe me faktin se kompanitë e parakualifikuara për projektin ‘Kosova e Re’ së bashku kanë nën operim më shumë se 40,000 MW fuqi të instaluara.
Humbjet teknike dhe komerciale
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka dhënë përkrahje të vazhdueshme Korporatës Energjetike të Kosovës për uljen e humbjeve komerciale përmes sundimit të ligjit. Kjo dëshmohet me faktin se niveli i faturimit si përqindje e energjisë së gatshme për shitje ka qenë 70% në vitin 2007, ndërsa në vitin 2011 planifikohet të arrijë në 81%. Njëkohësisht, inkasimi në vitin 2007 ka qenë 77% dhe planifikohet që në vitin 2011 të jetë 90%.
Sa i përket humbjeve teknike, duhen investime të mëdha në modernizimin e sistemit të distribuimit. Buxheti i Kosovës është shumë i limituar dhe për këtë arsye Qeveria e Kosovës është në procesin e privatizimit të KEDS -it me qëllim të sigurimit të kapitalit privat që këto humbje të ulen në nivel evropian.
Efiçienca e Energjisë
Miratimi i Ligjit të Efiçiencës nga Parlamenti i Kosovës është një hap i rëndësishëm, i cili do të mundësojë marrjen e veprimeve drejt arritjes së obligimeve ndërkombëtare. Ministria e Zhvillimit Ekonomik veçse ka përgatitur Planin Nacional për Efiçiencë të Energjisë, i cili ka për synim që në vitin 2018 të arrijë kursim të energjisë prej 9% (që nënkupton 20% të mesatares së konsumit të energjisë për pesë vitet e periudhës 2003-2007). Kosova obligohet me këtë cak të kursimit të energjisë, sikurse edhe shtetet e tjera anëtare të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, bazuar në shtojcën 1 të Direktivës 2006/32/EC.
Përmbushja e obligimeve që dalin nga Traktati i Energjisë
Strategjia dhe ligjet e energjisë të Republikës së Kosovës janë në përputhje të plotë me obligimet e Kosovës ndaj Traktatit të Energjisë dhe kanë për synim përafrimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës me atë të shteteve më të avancuara të Evropës. Për të gjitha reformat dhe politikat në këtë sektor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik është në konsultim të plotë me Sekretariatin e Traktatit të Energjisë dhe me Komisionin Evropian, dhe vendimmarrja për proceset e rëndësishme është gjithmonë e varur nga marrja e mbështetjes së plotë.
Përfshirja e Donatorëve
Qeveria e Kosovës falënderon të gjithë donatorët për ndihmën e vazhdueshme dhe përkushtimin e tyre ndaj stabilizimit të gjendjes së trashëguar të sektorit që nga viti 1999, si dhe për kontributin e tyre në projektet zhvillimore. Zhvillimi i sektorit të energjisë në Kosovë kërkon mbështetjen e vazhdueshme të donatorëve, përfshirë USAID-in, Bankën Botërore, Komisionin Evropian, KFW, dhe shumë të tjerë të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre që nga përmirësimi i ligjeve dhe procedurave deri tek mundësimi i investimeve kapitale në asetet kyçe.

