Fillon punën Komiteti Drejtues i Projektit “Kosova e Re” me përbërje të rifreskuar

Prishtinë, 7  korrik 2011 – Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr. 08/17 mbi ri-konfigurimin e strukturës së Komitetit Drejtues të Projektit (KDP) për ndërtimin e termocentralit të ri dhe pas marrjes të pëlqimit nga Banka Botërore për strukturën e re, dje, më 6 korrik 2011 është mbajtur takimi i parë i komitetit me përbërje të re.

KDP  përbëhet nga MZHE (Kryesues), dhe anëtarët nga MF, MMPH, MPMS, MTI, ZKM, ZRRE, KPMM  dhe vëzhgues nga KEK, KOSTT, Banka Botërore, KE, USAID, KfW, ZCN.

Gjatë takimit është prezantuar struktura e projektit ashtu siç qëndron në draft Kërkesën për Propozime, statusi aktual i projektit si dhe sfidat kryesore për realizim me sukses të këtij projekti.

Sfida kryesore është finalizimi i dokumentacionit të tenderit duke konsideruar komentet e investitorëve, harmonizimin me procesin e privatizimit të distribucionit dhe furnizimit, dhe fillimin e procesit për sigurimin e mbështetjes nga Institucionet Ndërkombëtare Financiare për transaksion.

Takimi i radhës do të mbahet pas dy javësh ku pritet të diskutohet rreth komenteve të investitorëve dhe angazhimit të këshilltarëve të transaksionit me kushte të rishikuara.