Ministri Beqaj raportoi para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 8 qershor 2011 –  Në mbledhjen e  sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, foli për punën e deritashme dhe masat e marra nga ministria për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri Beqaj, duke raportuar për punën e MZHE-së veçoi të arriturat në kompletimin e bazës ligjore, hartimin e dokumentit për prioritetet e zhvillimit ekonomik, monitorimin e ndërmarrjeve publike dhe realizimin e projekteve kapitale.

Rreth  Planit të Zhvillimit Ekonomik, ministri theksoi rolin që MZHE-ja ka pasur në hartimin e tij. Plani i Zhvillimit Ekonomik, tha Beqaj, është para editimit final ku parashihen edhe afatet kohore të projekteve.

Duke folur për infrastrukturën ligjore, ministri Beqaj njoftoi se Ligji për efiçiencën e energjisë është proceduar në Kuvend dhe ka kaluar leximin e parë, ndërsa ka filluar amendamentimi i Ligjit për ndërmarrjet publike dhe në draftim e sipër janë Ligji për AKP-në, Ligji për riorganizimin dhe likuidim të ndërmarrjeve, Ligji për dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme dhe Ligji për transformimin e pjesshëm të ”Trepçës” dhe një sërë Udhëzime Administrative.

Duke folur rreth fushës së  telekomunikacionit, ministri tha se MZHE-ja është koncentruar në implementimin e Ligjit për shërbimet e shoqërisë informative dhe privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës.

Lidhur  me privatizimin e PTK-së, ai njoftoi se është bërë para kualifikimi i ndërmarrjeve. Kanë qenë pesë ndërmarrje, ndërsa janë para kualifikuar dy (Dojçe Telekom dhe Austria Telekom), të cilat i kanë plotësuar kushtet, njoftoi ai.

Duke iu referuar ndërmarrjeve të para kualifikuara, ministri Beqaj tha se  këto dy ndërmarrje kanë imazh të mirë dhe janë të shtrira  në tërë botën me mbi 160 milionë parapagues. Me këtë rast ai përkujtoi se privatizimi i PTK-së bëhet me vendim të Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me këtë, në vijim ministri Beqaj tha se qëllimi i ministrisë është të kemi një proces transparent, të hapur dhe konkurrues, në të cilin do të mbrohen interesat e të gjithë punëtorëve komfor ligjeve në fuqi.

Ministri Beqaj potencoi privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji. Ai foli edhe për projektin e  Termocentralit “Kosova e Re”. Lidhur me këtë, ai njoftoi  se ky projekt është shumë i avancuar dhe do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore (BB).

Ministri Beqaj gjithashtu foli edhe për energjinë e ripërtërishme si pjesë e obligimeve rajonale e ndërkombëtare.

Ministri iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit.