Ministri Beqaj takoi presidentin Josipoviq

Zagreb/ Prishtinë, 14 Maj 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj u takua sot me presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq dhe bisedoi lidhur me zhvillimin dhe thellimin e metejm të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të dy shteteve, me theks të veçantë për bashkëpunimin në lëmin e ekonomisë.

Presidenti Josipoviq edhe me këtë rast shprehu përcaktimin e tij dhe institucioneve të Republikës së Kroacisë për të përkrahur Kosovën në rrugën e anëtarësimit dhe integrimit në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike.

Presidenti i Kroacisë u shpreh për thellimin e mëtejm të marrëdhënieve ekonomike në mes të dy shteteve, respektivisht për krijimin e kushteve që prodhimet nga Kosova të jenë më shumë prezente në tregun e Kroacisë.

Pasi që falenderoi për përkrahjen e Kroacisë për Kosovën ministri Beqaj e infomoi presidentit Jospipoviq lidhur me prioritetet e programit të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri Beqaj u angazhua për krijimin e lehtësirave për qytetarët dhe bizneset nga Kosova dhe kërkoi heqjen e vizave për vizita në Kroaci, nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore që do të eliminonte taksat e dyfishta dhe nënshkrimin e marrëveshjes mbi pranimin e sigurimit të automjeteve.

Gjatë vizitës në Kroaci, dje ministri Beqaj është takuar me zv/ kryeministrin për investime Domagoj Milosheviq dhe me ministrin e ekonomisë, punës dhe ndërmarrësisë, Gjuro Popijaq, me të cilin nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik në mes të dy vendeve.

Gjithashtu dje ministri Beqaj është takuar edhe me Sekretarin Shtetëror në Ministrinë se Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tonqi Bozhaniq.