Beqaj kërkon mbështetjen e Maqedonisë për Kosovën në CEFTA

Prishtinë, 24 mars 2011 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, (MZHE) Besim Beqaj ka kërkuar përkrahjen e Maqedonisë në zgjidhjen e problemit që  lidhet me respektimin e marrëveshjes së CEFTA-s, me të cilën ballafaqohet Kosova si pasojë e bllokadës që po i bëhet nga ana e Serbisë dhe Bonjës.

Kërkesa  është shtruar në takimin bilateral që ministri Beqaj ka zhvilluar sot në Shkup me homologun e tij, ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë, Fatmir Besimi me të cilin ka diskutuar për identifikimin e fushave për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve dhe implementimin e marrëveshjes së bashkëpunimit Kosovë –Maqedoni të nënshkruar në vitin 2009.  

Takimi i ministrit Beqaj është zhvilluar në kuadër të vizitës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli  në Maqedoni, meç’rast ishte organizuar edhe Forumi i Biznesit Kosovë-Maqedoni, në të cilin morën pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të biznesit të të dyja vendeve.

Beqaj dhe Besimi kanë diskutuar  për bashkëpunimin në fushën  e energjisë, minierave dhe telekomunikacioneve, ndërsa kanë shtruar nevojën e avancimit të legjislacionit përkatës me qëllim të krijimit të një mjedisi të favorshëm për investitorët e huaj.

Me këtë rast të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se duhet të bëhen hapa konkretë në identifikimin e projekteve dhe barrierave tarifore me të cilat ballafaqohen bizneset  e të dy vendeve me synimin lehtësimin e qarkullimit ekonomik.