Beqaj: Prioritetet e MZHE-së, reformat strukturore, modernizimi i ndërmarrjeve publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Prishtinë, 3 mars 2011- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka theksuar se prioritetet e Ministrisë të cilën e udhëheq do të jenë reformat strukturore të ekonomisë dhe modernizimi i ndërmarrjeve publike, me qëllim të ngritjes së efektivitetit dhe efikasitetit të tyre në shërbim të qytetarëve, zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të Energjisë, si dhe avancimi  dhe modernizimi i Teknologjisë Informative dhe Telekomunikacionit sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Në konferencën e parë për media pas zgjedhjes në krye të kësaj ministrie, duke prezantuar platformën zhvillimore të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe strukturën e saj organizative, ministri Beqaj tha se ajo që MZHE-së i intereson është që Kosova të shkojë duke u zhvilluar ekonomikisht, ngase ka pasur shumë dilema rreth asaj se sa është rritja ekonomike dhe kush duhet të jetë bartës i zhvillimit ekonomik.

Ministri Beqaj tha se viteve të fundit rënia e pjesëmarrjes së sektorit privat në rritjen ekonomike është vërejtur për shkak të krizës ekonomike dhe se rritja ekonomike vitin e kaluar ka qenë e gjeneruar kryesisht nga investimet publike, gjë që ndodh në të gjitha vendet ku ka krizë ekonomike të tillë.

“Por, synim i yni është që gjenerator kryesor i zhvillimit ekonomik dhe punësimit të jetë sektori privat, pra sektori privat të jetë shtylla kryesore e rritjes ekonomike, e punësimit dhe e gjitha zhvillimeve në vend”, tha Ministri Beqaj, duke shtuar se kjo mund të arrihet duke rritur konkurrencën përmes një legjislacioni të mirëfilltë ekonomik.

Ministri tha se do të vazhdohet me procesin e ristrukturimit të ekonomisë, duke vazhduar me futjen e modelit të ekonomisë së tregut në vend, që nënkupton edhe privatizimin e aseteve publike me qëllim që të rritet efekti i shpenzimit të parasë që qytetarët e marrin shërbime më të mira dhe më efektive.

Objektiva tjera, sipas tij, do të jenë edhe krijimi i një ambienti  biznesor atraktiv për investitorët vendorë dhe të huajë, me qëllim të zbutjes së papunësisë në vend dhe promovimi i prodhimit vendor përmes aktiviteteve konkurruese jashtë vendit, me qëllim të përmirësimit të deficitit tregtar në llogarinë rrjedhëse.

Ndryshe, Ministria do t’i ketë pesë departamente;
1. Departamenti i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit Ekonomik;
2. Departamenti për Energji dhe Miniera;
3. Departamenti i Teknologjisë Informative dhe Telekomunikacionit;
4. Departamenti për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, dhe
5. Departamenti i Shërbimeve të Përgjithshme.