Inaugurohet zbatimi i masave efiçiente të energjisë në dy shkolla të Prishtinës
Prishtinë,12 janar 2011- Ministrja e Energjisë dhe Minierave Justina Shiroka – Pula së bashku Shefi i Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornsson dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa kanë inauguruar projektet për zbatimin e masave te eficiencës së energjisë në Shkollën e Mesme Elektroteknike Gjin Gazulli dhe Shkollën Fillore, Ismail Qemalji në Prishtinë.
Ministrja Pula ka vlerësuar me këtë rast se Projekti qe u përurua sot mundëson kryerjen e një numri aktivitetesh dhe zbatimin e disa masave për të rritur ndjeshëm efiçiencën në shfrytëzimin e energjisë në ambientet e mësimdhënies dhe mjediset e tjera të shkollave.
“Këto masa përfshijnë vendosjen e izolimin termik në sipërfaqen e jashtme te Shkollës së Mesme Gjin Gazulli, ndërrimin e dritareve dhe dyerve ekzistuese, me dritare e dyer të reja që janë energji-efiçiente në të dy shkollat, instalimin e pajisjeve të tjera energji-efiçiente të ngrohjes si dhe ndërrimin e ndriçimit inkandeshent me atë fluoreshent, i cili është shumë herë më efiçient si dhe vendosjen e sistemit të ngrohjes diellore në të dy shkollat”, tha ministrja Pula.
Ajo ka vënë në dukje se përdorimi efiçient i energjisë është dimension i rëndësishëm i politikës energjetike të Qeverisë, të shprehur qartë në bazën ligjore që është miratuar së fundi, si dhe në Strategjinë e Energjisë dhe Planin Nacional për Efiçiencën e Energjisë.
Ministrja Pula theksoi se përdorimi efecient i energjisë është element i rëndësishëm në rrugën e integrimeve rajonale dhe Evropiane, për çka paraprakisht Kosova duhet të plotësojë caqet e Bashkimit Evropian dhe për këtë ka kërkuar edhe përkrahjen e nxënësve për të promovuar rritjen e efiçiencës së energjisë.
Ndërsa Shefi i Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornsson duke falënderuar ministren Pula për përkushtimin e saj në aplikimin e masave efiçiente në objektet publike duke shtuar se ndihet i nderuar që po përuron këto projekte që tregojnë se është kuptuar rëndësia e masave efiçiente.
“Ne kemi investuar në masat efiqente edhe në shkolla në Gjakovë dhe tashmë jam informuar se në ato shkolla kursimi i energjisë elektrike është ulur për 50 %. Pra kthimi i investimeve në efiçiencën e energjisë vjen pas një kohe relativisht te shkurtër” ka thënë ai.
Bjornsson, gjithashtu ka përmendur edhe efektet pozitive që do të arrihen në këto shkolla pas instalimit të masave efiçiente përfshirë këtu rezultatin më të mirë në procesin mësimor si dhe efektin në fushën mjedisore.
Projektet në fjalë janë vlerësuar lartë edhe nga drejtoreshat e shkollave duke i cilësuar ato si mjfat domëthënëse në mbarëvajtjen e procesin mësimor.
Ndryshe Komisioni Evropian në projektet për zbatimin e masave te eficiencës së energjisë në shkollën Gjin Gazulli ka investuar 175 mijë euro, ndërsa në shkollën Ismail Qemaili 145 mijë euro që përfshinë izolimin, ndërrimin e sistemit të ngrohjes si dhe vendosjen e paneleve solare në sallat sportive.

