Ministri Beqaj bashkëbisedoi me afaristët e Sharrit

SHARR, 6 qershor 2011 – Besim Beqaj , ministër i Zhvillimit Ekonomik, gjatë takimit me  kryetarin e Komunës dhe afaristët e Sharrit, ka folur për rritjen e konkurrencës, fuqizimin e sektorit privat, gjenerimin e punësimit, përmirësimin e imazhit të Kosovës për investime dhe për krijimin e ambientit të sigurt dhe stabil për biznes, duke përcaktuar dinamikën konkrete të realizimit të tyre.

Qeveria është përcaktuar për rritje ekonomike vjetore 7-8 për qind, uljen e papunësisë 8-10% në vit,  privatizimin e aseteve publike, reduktimin e barrierave për bërje të biznesit, revitalizimin e bujqësisë, zhvillimin e infrastrukturës përmes PPP dhe kapitalit privat, tha ministri Beqaj.

Sipas tij, Qeveria do të angazhohet në krijimin e politikave të favorshme fiskale, kalimin nga ekonomia joformale në formale dhe zhvillimin e tregjeve financiare.

Ndërkaq duke folur për programim qeveritar të zhvillimit ekonomik, ministri Beqaj theksoi se Qeveria këto ditë  do të aprovojë formalisht edhe afatet konkrete të realizimin e prioriteteve, duke planifikuar njëkohësisht efektet e pritshme të realizimit të programit qeveritar.

Pronarët e biznesit, ndërkaq kanë shtruar një varg kërkesash, të cilat, sipas tyre, duhet t”i merr për bazë Qeveria, me qëllim të shtimit të numrit të punëtorëve dhe zhvillimit të biznesit lokal. 

Përfaqësuesit e biznesit ndër të tjera kanë theksuar se politikat fiskale nga ATK-ja të kenë trajtim të veçantë për zonat rurale, si dhe të definohet karakteri i pronës shoqërore, ku mbi 60 për qind e saj prone ne Komunën e Dragashit konsiderohet si prone shoqërore e pashfrytëzuar.

U kërkua që të gjendet zgjidhje e  problemit të referencave të BE-së për eksportimin e mallrave, ngase e tëra në Industrinë e Tekstilit “Rematekst”  kjo do të ndikojë në rënien e eksportit dhe zvogëlimin e numrit të punëtorëve. Duke theksuar se kjo zonë ka mundësi të mëdha për grumbullimin e frutave të malit dhe bimëve industriale, u kërkua përkrahje të drejtpërdrejtë nga Qeveria për investime në këtë lëmi, duke theksuar se kjo mund te jetë një kontribut i rëndësishëm i zvogëlimin e papunësisë dhe sigurimin e mjeteve financiare shtesë.