Kosova dhe Sllovenia nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi në fushën e energjisë dhe minierave

Prishtinë, 28 maj 2010 – Ministrja e Energjisë  dhe Minierave, Justina Shiroka- Pula në kuadër të vizitës zyrtare të Slloveni ka nënshkruar sot në Lubjanë një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Ekonomisë të Sllovenisë qëllimi i së cilit është thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e energjisë dhe minierave.

Gjatë qëndrimit në Lubjanë, ministrja Pula ka zhvilluar takime të ndara me ministrin e Ekonomisë të Sllovenisë, Matej Lahovnik, drejtuesit e Odës Ekonomike sllovene dhe Operatorit i Sistemit të Transmisionit të Sllovenisë ELES  të cilët kanë shprehur gatishmërinë e institucioneve që drejtojnë për intensifikimin e bashkëpunimit me Kosovën.

Memorandumi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë është nënshkruar nga Ministrja Pula dhe Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, përgjegjëse për energjinë, Darja Radiq.

Me këtë rast ministrja Puka ka theksuar se nënshkrimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi për bashkëpunim mes dy ministrive në fushat e energjisë dhe të minierave është i një rëndësie të veçantë për Kosovën ngase Kosova ka nevojë për  eksperiencën e pasur Sllovene.

“Republika  e Kosovës është e  përkushtuar në kryerjen e reformave dhe ristrukturimin e plotë të sektorëve të energjisë dhe minierave në përputhje me qasjen e Bashkimit Evropian dhe eksperiencat më të mira nga Sllovenia”, tha ministrja Pula.

Ajo ka shtuar se Kosova si shteti më i ri i Ballkanit, është mjaft e interesuar ta zhvillojë me prioritet bashkëpunimin rajonal dhe atë bilateral me vendet më të avancuara siç është edhe Sllovenia.

Ministrja Pula në takimet me drejtuesit e Ministrisë së Ekonomisë së Sllovenisë  ka përcaktuar si fusha prioritare të bashkëpunimit, ndihmën në reformimin e plotë të sektorit energjetik në Kosovë, zhvillimin e tregut të energjisë, efiçiencës së energjisë, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe implementimin e projekteve të përbashkëta, veçanërisht të atyre të financuara përmes mekanizmave financues të BE-së.

Nga ana e saj, Sekretarja e Shtetit në ME të Sllovenisë, Darja Radiq ka vënë në dukje se konkretizimi i memorandumit Kosovë-Slloveni është arritur më shpejtë se zakonisht dhe se kjo tregon gatishmërinë për bashkëpunim të institucionit që përfaqëson.

“Jemi shumë të interesuar që të thellojmë bashkëpunimin me Kosovën, e veçanërisht në sektorin e energjisë dhe projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e kapaciteteve energjetike nga burimet e ripërtërishme sic janë projektet e hidrocentraleve”, tha Radiq.

Pas nënshkrimit të Memorandumit, ministrja Pula është pritur edhe nga ministri i Ekonomisë  të Sllovenisë Matej Lahovnik nga i cili ka marrë mbështetje për të quar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Gjithashtu, ministrja Pula ka zhvilluar një takim edhe në Odën Ekonomike sllovene ku është pritur nga një delegacion që kryesohej drejtorja ekzekutive, nga Alenka Avbershek.

Drejtuesit e OES-së janë  interesuar për investime në Kosovë në fushën e energjisë duke paralajmëruar se shumë shpejtë do të vizitojnë Kosovën për tu njohur më për së afërmi me projektet dhe kushtet për investime.

Në përmbyllje të  vizitës Ministrja Pula ka vizituar edhe Qendrën komanduese të  Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Sllovenisë ELES ku është njohur me arritjet dhe përvojën e kësaj kompanie.