Kosova ka kuadër ligjor modern për sektorin e energjisë

Stamboll, 5 maj 2010 – Të nderuar organizatorë,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar ambasadorë dhe të tjerë pjesëmarrës,

Së pari, duhet t’i falënderoj organizatorët e këtij aktiviteti të rëndësishëm për mikpritjen dhe krijimin e një mjedisi kaq të përshtatshëm për diskutimin e çështjeve mjaft të rëndësishme, siç janë ato të sigurisë së furnizimit me energji.

Së dyti, është kënaqësi e veçantë për mua ta përfaqësoj këtu Republikën e Kosovës, si dhe ta prezantoj shkurtimisht progresin e saj në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe planet për sektorin e energjisë.

Problemet e sigurisë së furnizimit me energji janë të përbashkëta. Ato, tashmë kanë marrë, definitivisht dimension rajonal dhe botëror.

Kosova është e vogël, por kur bëhet fjalë për energjinë duhet thënë se ajo ka burime të konsiderueshme primare të saj. Kosova ka mjaft linjit, prej të cilit mund të gjenerohet, në mënyrë mjaft konkurruese, energji elektrike që do të kontribuonte jo vetëm në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji të vetë Kosovës, por edhe në atë të vendeve përreth në Ballkan.

Në prill 2010, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2009 – 2018. Kjo strategji është bazuar edhe në kushtet e reja që lidhen me furnizimin me energji në rajonin e Ballkanit.

Synimi i Kosovës është që me investime private t’i ndërtojmë sa më shpejt të jetë e mundur kapacitetet e reja gjeneruese të energjisë elektrike, që tashmë i kemi identifikuar. Për këtë, me hapa të shpejtë, me asistencën e Bankës Botërore, Komisionit Evropian dhe USAID-it, ne në Kosove do ta përzgjedhim sivjet një investitor strategjik që do t’i ndërtojë 1,000 MW kapacitete të reja gjeneruese deri aty nga vitet 2016/17.

Kosova është e hapur dhe i mirëpret investimet private në sektorin e energjisë elektrike. Për t’i përshpejtuar këto investime, Kosova po kryen reforma të rëndësishme në përputhje me qasjen Evropiane. Po ashtu, Kosova ka kuadër ligjor modern për sektorin e energjisë, dhe ndërkohë po e plotëson kuadrin rregullator të nevojshëm.

Kosova synon të lidhet dhe integrohet në rrjetat ndërkombëtare të gazit natyror që vijnë nga Euroazia. Kjo theksohet edhe në strategjinë tonë për energji. Ne jemi të angazhuar dhe mbështesim ndërtimin e unazës së gazit natyror për Ballkanin Perëndimor, ashtu siç është definuar edhe në studimin përkatës të përgatitur me mbështetjen e Bankës Botërore dhe të KfW-së në kuadër të bashkëpunimit në Traktatin e Komunitetin e Energjisë, ku Kosova është palë kontraktuese. Ne kemi miratuar në fund të vitit 2009 një ligj të modelit Evropian për gazin natyror dhe po transponojmë edhe direktivat dhe rregulloret e tjera të BE-së për sektorin e gazit.

Kosova mbështet ndërtimin e gazsjellësit Nabucco dhe të tjerët që vendet e rajonit tonë dëshirojnë t’i ndërtojnë. Kosova kërkon që secili prej këtyre projekteve ta konsiderojë edhe mundësinë që Kosova të ndërlidhet me to.

Kosova synon marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me vendet përreth saj dhe më gjerë. Për këtë ajo i kushton vëmendje të veçantë shtimit të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh mbi bazën e përfitimit reciprok. Kështu, tashmë në fushën e energjisë ne po bashkëpunojmë shumë mirë me Shqipërinë dhe Bullgarinë, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe të arritura me këto dy vende. Të njëjtin bashkëpunim po e finalizojmë me Slloveninë dhe Maqedoninë, si dhe së shpejti do t’ia ofrojmë një të tillë edhe Republikës së Malit të Zi. Pra, në parim Kosova është e angazhuar në zhvillimin e bashkëpunimit, sidomos me çdo vend dashamirës kundrejt saj.

Pa e zgjatur më shumë, ju falënderoj për vëmendje.

Ju faleminderit!