Ministrja Pula vizitoi Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë

Prishtinë, 8 mars 2010 – Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula, e shoqëruar nga zonja e kryeministrit, Lumnije Thaçi dhe deputetja Teuta Hadri kanë vizituar sot Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë, me ç’rast grave që aktualisht strehohen në këtë qendër u ka ndarë nga një dhuratë modeste.

Ministrja Pula ka ritheksuar gatishmërinë e saj të ndihmojë strehimoret  të cilat janë në shërbim të viktimave të dhunës familjare. Ajo gjithashtu ka pohuar se vizita e sotme, pos shënimit të 8 Marsit si ditë e gruas, ka qëllim edhe njohjen për së afërmi me problemet e kësaj strehimore për gratë.

“Vizita ime si ministre e shoqëruar edhe nga bashkëshortja e kryeministrit ka për qëllim identifikimin e problemeve me të cilat ballafaqohet strehimorja për të parë më vonë mundësinë e ndihmës”, ka thënë ministrja Pula.

Ajo më këtë rast u ka premtuar ndihmën për mbajtjen e një konference në të cilën do të trajtoheshin problemet e dhunës në familje në mënyrë që të sensibilizohet sa më shumë kjo problematikë e pranishme në shoqërinë tonë.

Nga ana saj, Naime Gashi koordinatore e qendrës ka falënderuar ministren Pula dhe znj. Thaçi për vizitën duke shtuar se vizita tregon gatishmërinë dhe interesimin e tyre që të ndihmojnë viktimat e dhunës.

Në këtë kuadër, ministrja Pula ka njoftuar se në projektin për efiçiencë të energjisë do të përfshihen edhe strehimoret e grave viktima të dhunës.