Fjala e zv.ministrit Blerim Rexha në përvjetorin e 21-të të grevës së minatorëve të vitit 1989
Qeveria është e përkushtuar që ta reformojë dhe zhvillojë sektorin minierar
Prishtinë, 20 shkurt 2010 – Ndihem shumë i privilegjuar dhe i nderuar që jam sot këtu në mesin tuaj për ta kujtuar me respekt grevën e minatorëve të vitit 1989. Sot, kur e kujtojmë atë kohë kemi parasysh rrugën e vështirë që ka kaluar gjiganti ekonomik i Kosovës, Trepça. Historia e Trepçës është, në fakt vetë historia e Kosovës – me plot dhimbje, sakrifica dhe heroizëm.
Greva e madhe e minatorëve e vitit 1989 jo vetëm që tronditi ndërgjegjen e botës së qytetëruar për padrejtësitë dhe shfrytëzimin që i bëhej Kosovës, por ajo zgjoi vlerat e fjetura në atë kohë që ka populli ynë: atdhedashurinë, solidaritetin dhe guximin. Sot, ne, i gjithë populli i Kosovës ndjehemi krenarë për idealet që minatorët u sakrifikuan, sepse ato ideale sot janë realitet. Ne sot, këtu me pjesëmarrjen tonë po i nderojmë këto vlera.
Sot, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që ta reformojë dhe zhvillojë sektorin minerar në frymën e ekonomisë së tregut të lirë dhe të shprehur edhe në Strategjinë Minerare të Kosovës. Në këtë strategji prioritet të lartë ka zhvillimi dhe ristrukturimi i vetë ndërmarrjes Trepça. Ky ristrukturim dhe zhvillim do të bëhet duke e bërë sektorin minerar më joshës për investime në formën e partneriteteve publiko-private.
Ne, si Ministri e Energjisë dhe Minierave jemi duke përcjellë nga afër punën e menaxhmentit aktual të Trepçës dhe rezultatet janë shumë inkurajuese. Ministria e Energjisë dhe Minierave, së bashku me menaxhmentin e Trepçës kemi plane ambicioze për zhvillimin e Trepçës, plane drejt rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe ngritjes së kuadrit profesional. Ministria jonë dhe Qeveria, në përgjithësi do të vazhdojnë ta mbështesin Trepçën edhe për aq kohë sa kjo të jetë e nevojshme.
Me fat

