Ministrja Pula inauguron panelet solare në Klinikën Interne
Ministrja Pula ka thënë me këtë rast se ky investim i bërë nga Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) do të ndikojë në rritjen e efiçiencës dhe do t’i përmirësojë kushtet e pacientëve dhe personelit të kësaj klinike.
“Ky projekt është pjesë e projektit të MEM-it për promovimin e energjisë solare që deri më tani është implementuar në disa klinika të QKUK-së dhe qendrës së studentëve, ndërsa do të vazhdojë edhe më tutje në qendra të tilla”, tha ministrja.
Ministrja Pula ka vënë në dukje se Kosova, si pjesë e Traktatit të Komunitetit të Energjisë është e obliguar t’i përmbushë obligimet që dalin nga ky mekanizëm dhe projektet për burime të ripërtërishme shkojnë në linjën e përmbushjes së kërkesave të TKE-së dhe Bashkimit Evropian.
Ministrja e energjisë ka theksuar se ky projekt përfshinë vendosjen e 28 paneleve solare me 150 metra katrorë, me kapacitet të ngrohjes së ujit për nevojat e rreth 400 personave, ndërsa vlera e projektit është 145 mijë euro.
Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, ka vlerësuar investimin e bërë nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, duke theksuar se kjo do të ndikojë në kushtet e punës së QKUK-së dhe ka falënderuar ministren Pula që në kuadër të këtij projekti i ka dhënë prioritet qendrave shëndetësore.
Ndryshe, ministri Gashi ka njoftuar se projekti i ngrohjes së ujit përmes paneleve solare parashihet të përfshijë tërë qendrat shëndetësore dhe aty ku kufizimet buxhetore nuk lejojnë që MEM të kompletojë këtë projekt, MSH do të jetë ajo që do të vazhdojë investimet në këtë fushë.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës Klinike Universitare, Ali Sadria ka falënderuar Ministrinë e Energjisë dhe Minierave për investimin e bërë në këtë klinikë, duke e vlerësuar këtë një kontribut për shërbime më të mira ndaj pacientëve.

