Beqaj: OEK-u akter i rëndësishëm dhe zëri i komunitetit të biznesit

Prishtinë, 08 mars 2011 – Oda Ekonomik e Kosovës (OEK) është një nga akterët kryesorë  në dizajnimin e politikave ekonomike, ngase OEK është zëri i komunitetit të biznesit,  ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë takimit me kryetarin e OEK-ut,  Safet Gërxhaliu dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Ministri Beqaj tha se Qeveria e Kosovës ka për synim krijimin e një ambienti të favorshëm ekonomik në mënyrë që sektorit privat t’i jepet hapësirë zhvillimi që do të mundëson tërheqjen graduale të investimeve publike dhe që sektori privat të bëhet bartës i zhvillimit ekonomik.

Ai tha se derisa mandati i parë i Qeverisë Thaçi ishte mandat i krijimit të shtetit, ky mandat qeveritar do të jetë mandat i zhvillimit ekomomik, ngase pa zhvillim ekonomik nuk ka stabilitet dhe se është parakusht për integrim në strukturat evropiane.

Ministri Beqaj ka ritheksuar se Qeveria është e përkushtuar të vazhdojë me privatizimin e aseteve publike më shpejtë, dhe kjo nuk bëhet sa për t’u tjetërsuar këto asete por  me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për qytetarët. Privatizimi, tha ministri Beqaj duhet të shihet në këtë kontekst.

Kreu i MZHE-së ka vënë në dukje se për këtë vit është projektuar një ngritje ekonomike prej 6,1 për qind, e cila do të jetë e realizueshme me rritjen e performancës së Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave, si dhe me krijimin e lehtësirave procedurale  për të bërë biznes, duke premtuar se të gjitha premtimet e Qeverisë do të realizohen.

Me këtë rast Ministri Beqaj ka ftuar komunitetin e biznesit që të jetë një partner konstruktiv në krijimin e një dialogu që do të ndihmonte në disajnimin e politikave ekonomike dhe do të shërbente si një promotor i zhvillimi ekonomik të vendit.

Nga ana e tij, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka falënderuar ministrin Beqaj për gatishmërinë e tij për një bashkëpunim të ngushtë me OEK-un në krijimin e politikave ekonomike, duke theksuar se është mjaft optimist fakti që në krye të resorëve ekonomik janë emëruar persona kompetentë që vijnë nga bota e biznesit.

Ndryshe, Ministri Beqaj gjatë takimit ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të komunitetit të biznesit të cilët janë interesuar për politikat e MZHE-së sa i përket stimulimit të produkteve vendore,  preferencat tregtare me BE-në dhe sfidat tjera me të cilat ballafaqohet biznesi vendor.