Holanda mbështet ripërtëritjen e marrëveshjes tregtare Kosovë-BE

Prishtinë, 21 mars 2011- Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Prishtinë, Robert Bosch ka premtuar sot ndihmën e Holandës për Kosovën sa i përket ripërtëritjes së marrëveshjes për preferencat tregtare në mes të  Kosovë dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë të takimi që ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj zhvilloi me ambasadorin  Bosch u diskutua për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve me theks të veçantë në fushën e ekonomisë që mbulohet nga MZHE.

Me këtë rast të dy bashkëbiseduesit u angazhuan për zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes së marrëveshjes tregtare me BE-në,  mungesa e së cilës po i shkakton probleme biznesit vendor.

Në takim ambasadori Bosch shprehu interesimin dhe përkrahjen e shtetit holandez zhvillimit të fushave si industria dhe bujqësia.

Nga ana e tij, ministri Beqaj duke falënderuar diplomatin holandez ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme nga Holanda, përfshirë këtu edhe çështjen e marrëveshjes tregtare me BE-në.