Në Stantërg u përurua projekti i Mbushjes Hidraulike

Prishtinë, 10 shkurt 2010 – Ministrja e Energjisë dhe Minierave (MEM) Justina Shiroka Pula  së bashku me Ferat Shala menaxher  i Trepçës, të mërkurën në Minierën e Stantërgut, kanë përuruar Projektin e Hidrombushjes. Projekti  është financuar nga AER dhe Trepça, i cili synon avancimin e veprimtarisë minerare.

Me këtë rast Ministrja e Energjisë dhe Minierave  Justina Shiroka Pula ka konfirmuar përkujdesjen e vazhdueshëm të MEM-it, përkatësisht, Qeverisë së Republikës së Kosovës për resurset minerare të vendit, që ato të jenë në funksion të zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së Republikës së Kosovës.”

Projekti që përurojmë është i një rëndësie të veçantë dhe si i tillë krijon ambient modern të punës .Tashmë është formuar një grup i ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë që do të analizojnë të gjitha mundësitë që Miniera “Trepça” të ristrukturohet dhe të jetë sa më e qëndrueshme. Qeveria e Kosovës në kuadër të prioriteteve e ka si të rëndësishëm zhvillimin e sektorit minerar, duke u bazuar në shfrytëzimin sa më racional të burimeve minerale dhe duke pas konsideratë shumë të madhe për mbrojtjen e mjedisit”, ka thënë ministrja Justina Shiroka Pula.

Ndërsa, Ferat Shala menaxher i Trepçës ka falënderuar donatorët, të cilët kanë mundësuar realizimin e një projekti, të tillë i cili avancon efikasitetin e fushës minerare ”  Ky projekt  do të mundësoj shfrytëzimin më me efikasitet të xehes, do të krijoj stabilitet në minierë në aspektin gjeomekanik dhe do të zvogëloj koeficienti e varfërimit të xehes.

Kjo është një metodë moderne, që zbatohet për herë të parë në Minierat e Kosovës e cila  formë do të rrisë efikasitetin e prodhimit” është shprehur Shala. Ndërsa, përfaqësuesi i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë,  Reno Honemont, ka konfirmuar se Komisioni Evropian do të vazhdojë ta mbështesë ndërmarrjen Trepça edhe në të ardhmen me projekte zhvillimore në funksion të rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrje.

“Unë shpresoj se Trepça, do të shndërrohet përsëri në një fuqi ekonomike për vendin tuaj, ashtu siç ka qenë në të kaluarën” ka pohuar Honemont. Ndryshe, Projekti, është projektuar që hiri nga Termocentrali i Kastriotit të transportohet në Minierën e Stantërgut dhe në formë hidraulike të bëjë mbushjen e hapësirave të shfrytëzuara të kësaj miniere.