Promovohet projekti për “Modernizimin e plotë të rrjetit VALA”
Prishtinë, 27.11. 2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë marrë pjesë në promovimin e projektit për “Modernizimin e plotë të rrjetit VALA”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se Telekomi është tashmë një ndërmarrje e rimëkëmbur, me stabilitetit financiar e operativ, që po modernizon në tërësi rrjetin mobil me 5G e 4G+ në tërë Kosovën, duke dhënë shembull të mirë për vendin dhe për rajonin.
“Telekomi vendosi disiplinën, ristrukturoi radhët e veta, riktheu fitimin dhe e nisi projektin e madh të modernizimin të rrjetit mobil, shërbimit kryesor që ndërmarrja iu ofron qytetarëve tanë, pa dallim”, tha kryeministri duke theksuar se Vala kaloi plotësisht në kodin shtetëror të Republikës së Kosovës +383, si dhe modernizoi teknologjinë e saj.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli vlersoi se është e jashtëzakonshme të shohim se si Telekomi po përparon secilën herë, përkundër të gjitha vështirësive që kanë ekzistuar dhe janë arritur të gjitha planet e planifikuara 4 vite më parë, të cilat suksese janë arritur edhe fal përkrahjes së Qeverisë.
“E keni bërë të qartë për të gjithë dhe jeni bë shembull për të gjithë, se si kur qeverisja është e mirë në një ndërmarrje, kur nuk ka ndërhyrje të politikës për të bërë dëm, por ka mbështetje aty ku është e nevojshme, ndërmarrja publike mund të përparojë”, tha Ministrja Rizvanolli.
Ndërsa kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana tha se teksa po e promovojnë këtë projekt, Kosova është kthyer në lider në rajon me implementimin e teknologjive më të avancuara të kohës 4G+ dhe 5G në këtë shkallë në nivel vendi.
Me modernizimin e plotë të rrjetit Vala tashmë ka mbulim në tërë Kosovën me rrjetin 4G, 4G+, si dhe mbi 65% me 5G. Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk operon më me 3G.
Fjala e plotë e Ministres Rizvanolli:
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti,
I nderuar kryesues i Bordit, Z. Petrit Nahi dhe anëtarë të Bordit,
E nderuara kryeshefe e Telekomit të Kosovës, znj. Burbuqe Hana,
Të nderuar inxhinier, punonjës të Valës,
Është kënaqësi e jashtëzakonshme që të jem këtu, po bëhet hera e katërt në këto 4 vite mandati që vimë përafërsisht në kohën e njëjtë në dimër me Kryeministrin këtu dhe është e jashtëzakonshme të shohim se si secilën herë Telekomi përparon dhe secilën herë përkundër të gjithave vështirësive nga më të ndryshmet, që nga ato të administrimit brenda një kuadri rigjit të prokurimit, e Ligjit për Zyrtarët Publik, e të tjera, e deri tek arbitrazhet, luftërat në gjykata, e logoritë e bllokuara, e të gjitha të tjerat, të mos flasim për vështirësitë teknike, i keni arritur të gjitha planet ashtu siç i kemi planifikuar katër vite më parë.
Unë nuk do t’i përsëris të gjitha të arriturat që u thanë më herët, sepse mendoj që u thanë mjaftueshëm, mirë po mbi të gjitha, aty ku është suksesi, ku është cilësia e shërbimit, qytetarët e ndjejnë vet dhe nuk kemi nevojë të flasim shumë.
Unë dua të përmend disa aspekte rreth këtij rrugëtimi dhe suksesi të Telekimit, të cilat ndoshta nuk theksohen mjaftueshëm, ose kur theksohen, theksohen me disa tone negative, e që mendoj se nuk janë të drejta.
E para është se ndonjëherë nga disa ka një mendim dhe qëndrim të prerë se pronësia publike nuk bënë, se një ndërmarrje publike nuk mund të jetë e suksesshme, e në rastin e Telekomit nganjëherë shoh që ka kritika, madje fyerje në adresë të ndërmarrjes specifikisht. Të dyja këto mendoj që janë tejet të padrejta dhe mendoj që Telekomi me suksesin e tij sot, e ka dëshmuar këtë më se miri. Nuk është pronësia publike problemi, është mënyra se si qeveriset edhe në nivel të qeverisë, edhe në nivel të ndërmarrjes, se këto sigurisht që janë të ndërlidhura.
Më duhet të them, që Telekomi është meritor për sukseset që i ka sot, sigurisht me përkrahje të një qeverisë që është përkrahëse, mirëpo Telekomi nuk ka qenë fajtor, sepse problemet që i kanë ardhur Tlekomit nuk kanë ardhur nga punëtorët e Telekimit, nuk kanë ardhur nga Telekomi, kanë ardhur nga trysnia dhe keq menaxhimi që kanë qenë të imponuara nga lartë, nga qeveritë e kaluara.
Andaj, mendoj se e keni bërë të qartë për të gjithë dhe jeni bë shembull për të gjithë, se si kur qeverisja është e mirë në një ndërmarrje, kur nuk ka ndërhyrje të politikës për të bërë dëm, por ka mbështetje aty ku është e nevojshme, ndërmarrja publike mund të përparojë.
E dyta, mendoj që nuk theksohet mjaftueshëm, si ministre që në portfolio kam sektorin e komunikimeve elektronike, shpesh jam pyetur kur do të filloni proceduarat për dhënien e licencës së tretë, sepse nuk ka konkurrencë në treg. Përgjigja ime gjithmonë ka qenë se nuk është numri i operatorëve që është problemi i konkurrencës, por problemi është që kemi pasur një ndërmarrje publike, e cila është dëmtuar në masën që nuk ka qenë në gjendje të bëjë investime dhe si e tillë nuk ka qenë konkurrente e denjët në treg, gjë që i ka mbajtur të dy operatoret në një farë status-quo-je.
Me investimet që i ka bërë Telekomi, ne tani e shohim që në të gjithë sektorin ka investime, ka inovacione, edhe tek Vala dhe tek konkurrenti privat Ipko. Kjo sjell përmirësim të shërbimeve dhe nga ana tjetër e gjithë kjo është arrit, papasur rritje, ose së paku rritje të ndjeshme në çmime për konsumatorët.
Unë ju falënderoj jashtëzakonisht shumë! Ka qenë nder dhe kënaqësi të punojmë me ju për gjatë këtyre viteve dhe ju dëshiroj shumë suksese në të ardhmen! Një gjë që prita që kryeshefja ose kryeministri do ta thonë, është që Vala nuk është duke u ndalur këtu, investimet janë duke vazhduar dhe hera tjetër që do të shihemi në një rast të tillë, do të jetë për të festuar mbulimin e gjithë territorit të vendit me rrjet optik, për të vazhduar kështu mbulimin e të gjithë territorit të Republikës së Kosovës, për herë të parë edhe të pjesës Veriore me rrjet mbobil dhe me rrjet 5G, që po e kremtojnë sot.
Shumë suksese edhe në të ardhmen dhe urime të gjithëve!