Miratohet Programi i Zbatimit të Strategjisë së Energjisë

Prishtinë, 08.09.2023 – Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 5 shtator 2023 ka miratuar Programin e Zbatimit të Strategjisë së Energjisë me vota unanime.

Programi i Zbatimit të Strategjisë së Energjisë së Kosovës (PZSEK) për periudhën 2022-2025, bazohet në Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2031. Metodologjia bazë për përgatitjen dhe monitorimin e këtij programi bazohet në Ligjin për Energji Nr.05/L-081 dhe në Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 07/2018 për Planifikimin dhe Hartimin e Dokumenteve Strategjike dhe Planeve të Veprimit.

PZSEK përfshinë projekte investive, në të gjitha hallkat e sistemeve, nëpërmjet të cilave sigurohet furnizim i besueshëm dhe i pandërprerë me energji, veçanërisht atë elektrik. Gjithashtu përfshihen aktivitete dhe projekte të rëndësishme që mundësojnë zbatimin e orientimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për dekarbonizimin e sektorit të energjisë në bazë të zotimeve të Kosovës ndaj Procesit të Berlinit dhe Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë sipas një harte të aprovuar të dekarbonizimit dhe Kosova është pajtuar që të kontribuoj në arritjen e caqeve të dekarbonizimit deri në vitin 2030-të përfshirë cakun për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) në masën tridhjetë e dy për qind (32 %) të bruto konsumit final të energjisë, maksimumit të Konsumit Final të Energjisë (KFE) dhe Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) në masën prej një mijë e tetëqind (1800) ktoe (Kilo ton ekuivalent nafte), si dhe kufirin e gazrave serë në masën prej tetë pikë nëntëdhjetë e pesë (8.95) milion ton deri në vitin 2030-të.

Gjithashtu, ky program përfshinë projektet dhe aktivitetet e institucioneve të sektorit të energjisë, gjegjësisht përfshinë projekte dhe aktivitete që kanë filluar para apo edhe gjatë vitit 2022, projekte dhe aktivitete të cilat fillojnë dhe përfundojnë gjatë periudhës 2022-2025; si dhe projekte të cilat kanë filluar gjatë periudhës 2022-2025, por që vazhdojnë edhe pas vitit 2025.

Me miratimin e Programit të Zbatimit të Strategjisë së Energjisë së Kosovës, fillon zbatimi i tij nga të gjitha palët përgjegjëse siç përcaktohet në këtë program.

Për përgatitjen e programit janë përfshi të gjitha institucionet relevante, janë zhvillu diskutime publike siç parashihet me legjislacion.