Ministrja Rizvanolli merr pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Vajzave në TIK
Prishtinë, 24.04.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Vajzave në TIK, ku me aktivitete të ndryshme shënohet në mbi 160 shtete me moton “Vajzat në TIK për një Transformim Digjital Gjithëpërfshirës”.
Në aktivitetin e organizuar nga The Foundation House dhe RIT Kosovo, Rizvanolli theksoi se ky është viti i dhjetë me radhë që Kosova i bashkohet shënimit të kësaj dite, duke treguar këmbëngulje në punën drejt gjithëpërfshirjes e barazisë.
Duke fol për uljen e papunësisë së vajzave dhe grave gjatë mandatit katërvjeçar qeverisës, Rizvanolli theksoi se fokus të veçantë kanë vënë në investimin për edukimin dhe avancimin e vajzave në fusha të STEM-it si teknologjia, energjia apo shkencat natyrore.
“Prandaj, kemi ndarë mbi 4,880 bursa për vajza dhe gra në fushat STEM, për t’u siguruar që vajzat e reja t’i ndjekin talentet e ambiciet e tyre e jo të përkufizohen vetëm në fusha të cilat tradicionalisht janë konsideruar fusha për vajzat. Jo rastësisht mbi 50% e studentëve të fushave STEM në UP janë vajza. Kemi përfshirë kritere gjinore në çdo thirrje publike për trajnime të ICT-së. Në programet e trajnimit të Ministrisë së Ekonomisë për fusha si robotika e inteligjenca artificiale ku kemi trajnuar 5000 të rinj në teknologji, mbi 40% janë vajza, shumë prej të cilave janë punësuar menjëherë pas trajnimit duke kontribuar edhe në rritjen e gjithëpërfshirjes në vendin e punës”, theksoi Ministrja Rizvanolli.