Ministrja Rizvanolli me mesazh urimi për Ditën e Çlirimit të Kosovës
Prishtinë, 12.06.2024 – Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ua ka uruar këtë ditë të madhe qytetarëve të Kosovës.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se çerek shekulli më parë, heronjtë tanë bënë sakrificën më të madhe duke dhënë gjithçka që kishin për të dhënë për çlirimin tonë, duke pohuar se ata nuk ishin vetë, i gjithë populli atdhedashës i mbështeste me zemër, e miqtë tanë nga e gjithë bota u siguruan t’u qëndrojnë në krah.
Ajo po ashtu ka pohuar se pas luftës sonë të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s, trupat serbe u tërhoqën, duke i dhënë fund viteve të shtypjes dhe dhunës ndaj popullit tonë.
“Sot gëzojmë lirinë e demokracinë, por mbi të gjitha kujtojmë e respektojmë kujtimet e fëmijëve, grave e burrave të rënë e sigurohemi që Kosova për të cilën ata luftuan të jetë ajo e lirisë, barazisë dhe drejtësisë!
Urime Dita e Çlirimit Kosovë!”, thuhet në mesazhin e Ministres Rizvanolli.