Ministrja Rizvanolli flet në Forumin e Tranzicionit të Drejtë Energjetik
Prishtinë, 10.10.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanoli ka marrë pjesë në Forumin e Tranzicionit të Drejtë Energjetik, i organizuar nga Komuniteti i Energjisë.
Në fjalën e saj, Ministrja Rizvanolli theksoi se diskutimet për sektorin e energjisë dhe tranzicionin e tij të gjelbër janë jashtëzakonisht të rëndësishme, veçanërisht tani që kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm.
Ajo po ashtu u shpreh se jemi të përkushtuar për të siguruar që tranzicioni ynë të jetë i barabartë, gjithëpërfshirës dhe i drejtë.
“Qytetarët e Kosovës janë në qendër të tranzicionit tonë të drejtë energjetik dhe këtë po e sigurojmë përmes mbështetjes direkte për rritje të efiçiencës dhe konsum të energjisë elektrike, përmes ndërtimit të projekteve të reja në forma konkurruese, të cilat sigurojnë çmim më të ulët, e hartimit të politikave afatgjata, që favorizojnë qytetarët, veçanërisht kategoritë e cenueshme”, tha mes tjerash Ministrja Rizvanolli, e cila ka treguar për projektet që Kosova është duke i realizuar në rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë solare, asaj nga era dhe projektin e baterive për akumulimin e energjisë elektrike.
Ajo, po ashtu ka falënderuar Komunitetin e Energjisë për përkrahjen e vazhdueshme në të gjithë hapat që po ndërmarrim për një sektor të pastër e të drejtë.
Në Forum, veç Ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadori i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, drejtori i Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski dhe përfaqësues të tjerë të Komunitetit të Energjisë.