Integrimi i tregut të BE-së, konkurrueshmëria dhe siguria e furnizimit nxisin takimin ministror të Komunitetit të Energjisë në Prishtinë

 Prishtinë, 02.07.2026 – Organizata më e lartë politike vendimmarrëse e Komunitetit të Energjisë u mblodh këtë javë në Prishtinë për Këshillin Informal Ministror. I organizuar nga Ministria e Ekonomisë, takimi mblodhi ministrat e energjisë së Komunitetit të Energjisë, ku përgatiti terrenin për përcaktimin e përparësive të iniciativave që formësojnë trajektoren e rajonit drejt integrimit të përshpejtuar të energjisë me Bashkimin Evropian.

Diskutimet këtë vit morën një rëndësi të shtuar në sfondin e përgjigjes së vazhdueshme të Evropës ndaj tronditjeve të fundit të tregut të energjisë, me sigurinë e furnizimit dhe konkurrueshmërinë që shfaqen si tema qendrore që nxisin përpjekjet e integrimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë.

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli deklaroi se Republika e Kosovës ka marrë përsipër Presidencën e Komunitetit të Energjisë me një angazhim të qartë: të mbështesim vendimet që rrisin sigurinë e furnizimit, përshpejtojmë integrimin me Bashkimin Evropian dhe mbrojmë përballueshmërinë e energjisë për qytetarët dhe bizneset tona. “Sfidat para nesh janë rajonale, dhe të tilla duhet të jenë edhe zgjidhjet”.

Ministrja Rizvanolli njoftoi se Kosova po vazhdon të përballet me një çështje tejet shqetësuese, që kërkon veprim të menjëhershëm, pasi Serbia po e pengon shfrytëzimin komercial të interkonekcionit me Kosovën, duke i mbingarkuar kapacitetet e transmetimit në Kosovë dhe në vendet fqinje dhe po u vendos një barrë të rëndë vendeve të rajonit, veçanërisht konsumatorëve të Kosovës.

“Në dhjetor të vitit 2025, Këshillimi Ministrave të këtij Komiteti të Energjisë që jemi mbledhur sot, obligoi Operatorin e Transmisionit të Serbisë që të vë në dispozicion të tregtisë kapacitetet e saj jo më vonë se 1 korriku i vitit 2026. Tani jemi këtu, Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërri këtë afat, mirëpo nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për ta zbatuar obligimin e vet. Operatori i Transmisionit të Serbisë, vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT”, tha Rizvanolli.

Drejtoresha e Njësisë për Marrëdhënie me Shtetet Anëtare dhe Komunitetin e Energjisë (DG ENER), Yolanda Garcia Mezquita theksoi se “ne po avancojmë një nga prioritetet më strategjike të Bashkimit Evropian: zgjerimin e BE-së, jo vetëm si një objektiv politik, por si një investim gjeostrategjik për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Evropës. E lidhur ngushtë me këtë është edhe përshpejtimi i integrimit të Palëve Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë në tregun unik të energjisë së BE-së, duke i afruar partnerët tanë më pranë Bashkimit Evropian”.

Me afrimin e konvergjencës legjislative në sektorët e gazit dhe energjisë elektrike, ministrat u përqendruan në çështjet politike dhe rregullatore që do të përcaktojnë rolin e rajonit si partner i integruar energjetik i Bashkimit Evropian. Në sektorin e energjisë elektrike, ndërsa shumë palë kontraktuese po i afrohen përfundimit të transpozimit të Pakos për Integrimin e Tregut të Energjisë Elektrike, rajoni po i afrohet integrimit me tregun unik të energjisë elektrike të Bashkimit Evropian.

Arritja përpara këtij momenti historik përmes një përpjekjeje të koordinuar rajonale të elektrifikimit mund të rrisë ndjeshëm peshën e Komunitetit të Energjisë brenda rendit energjetik të Evropës. Kushtet për një përpjekje të tillë, në shumë aspekte, janë tashmë të vendosura, rajoni përfiton nga çmimet relativisht konkurruese të energjisë elektrike dhe potenciali i konsiderueshëm i energjisë së rinovueshme, të dyja këto përbëjnë një argument bindës për nxitjen e elektrifikimit në sektorë si ngrohja dhe transporti.

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski theksoi se “elektrifikimi është përparësia jonë në periudhën para anëtarësimit dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë. Duke vepruar së bashku tani në sektorët e ngrohjes dhe transportit, do të ndërtojmë ekonomi të mbështetura në qasje në energji vendore dhe të përballueshme”.

Lidhur me sektorin e gazit, ndërsa shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të jenë të obliguara të zbatojnë kodet ndërkufitare të rrjetit në të gjithë kufijtë duke filluar nga 5 gushti, një përpjekje paralele drejt zbatimit të ndërsjellë nga Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë po ndihmon në krijimin e kushteve për rrjedha më të parashikueshme dhe më të diversifikuara të gazit. Një harmonizim i tillë rregullator do të jetë veçanërisht i rëndësishëm, ndërsa përparojnë përgatitjet për përshtatjen e mundshme të REPowerEU brenda kornizës së Komunitetit të Energjisë. Në këtë kontekst, Sekretariati ka porositur një studim për të vlerësuar implikimet e eliminimit gradual të gazit rus në rajon, i cili sugjeron se kjo mund të realizohet pa cenuar sigurinë e furnizimit apo përballueshmërinë.